Lajme

Albanopoli, historia e qytetit të Albanëve, e shkuara dhe e tashmja (Pjesa 1)

Shkruan: Bajram PEÇI

Arkeologu, shkrimtari e publicisti Moikom Zeqo po jep përmes publikimeve të tij në shtypin e përditshëm një ndihmesë të vyer në çështjet e kulturës kombëtare e atë të trashëgimisë kulturore.
Një e tillë u botua këto ditë në Shqiptarja.com në formën e intervistës, ku mes të tjerash, vendosur nën vështrimin kritik, ngrihet me shqetësim të dukshëm gjëndja e arkeologjisë shqiptare. Për të mos humbur në përsiatjet që do vijojnë le ta themi që në krye se udha që të shpie në më të mirin arsyetim është kthimi i kokës mbrapa për të parë në të shkuarën tonë, pasojat e të cilës ende i vuajmë.

I pari tipar që ndesh, padyshim fatkeq për shqiptarët, është hapësira boshe shumë shekullore e historisë tonë të mesjetës së hershme.
Do kërkonte shumë kohë e vend në gazetë për të shpjeguar psenë, por do mjaftonte të dinim se pas rulit pesë shekullor otoman, që shtypi çdo kujtesë kombëtare, shfarosi çdo gjë të shkruar nga të parët dhe deri në grahmën e fundit të vdekjes nuk ja lejoi kombit shkrimin shqip, për të kuptuar e shpjeguar shumë faqe të bardha të historisë tonë.
Duke lexuar këto ditë një libërth shkruar prej J. G. von Hahn për fjalorin pellazgjik, i përkthyer e botuar në vitin 1910 prej djaloshit 24 vjeçar, Eqerem bej Vlorës, ndesh në parathënje pezmin e tij për ndodhjen në errësirë, prapambetjes në lëmë të gjuhës e shkrimit dhe nivelit të ulët të qytetërimit, ndonëse kombi të cilit i përket ndodhet fizikisht mes vendeve me qytetërim të lashtë e të përparuar.

Është gjuha dhe shkrimi që shfaq më mirë se çdo gjë tjetër nivelin mendor e atë të ruajtjes e përcjelljes së ideve e prej gjëndjes së saj, deri një shekull përpara, vjen dhe mungesave e dokumenteve dhe dorëshkrimeve për vise e troje, fise të moçme, qyteza të lashtësisë e gjithçka tjetër që ka humbur në mugëtirën e kohërve të shkuara. Te mungesa e gjuhës së shkruar dhe karakteri i ashpër e armiqësor i pushtimit turk ndodhet çelësi i krejt mjerimit të historisë tonë ende të pashpjeguar, ndaj nuk do habitesha që jo gjashtë qytete ilire por dhe gjashtëmbëdhjetë të tilla të ishin ende të papërcaktuara si vendndodhje, s’kemi as pse habitemi dhe as pse të turpërohemi për arkeologjinë tonë. Historia përbëhet nga letra e shkresa.

“E shkruara qëndron-fjalët i merr era!”-shpreheshin latinët.

Qyteti i “humbur” i Albanëve (Arbërve)

Hulumtimet për lashtësinë dhe ato çka janë shkruar për ne është e njohur se mbështeten kryesisht në arkivat e dokumentet e fqinjëve grekë, romakëve e bizantinëve dhe më pas sllavët, ndaj dhe qytezës së lashtësisë ilire, Albanopolit, mëdyshja e stepja i ka qëndruar pranë parreshtur.

E mirëkuptoj të nderuarin Moikom pse e fut në mesin e të panjohurave, por nuk jam i një mendje me të se mungesa e një qëndrimi të prerë për qenësinë fizike të tij përbën dështim të arkeologjisë tonë.
Dyshimet që kanë shoqëruar vëndndodhjen e Albanopolit nuk përcaktohen vetëm nga arkeologjia dhe s’mund të jesh dakort me thënjen se kjo përbën dështim të arkeologjisë. Në gjysmën e parë të shek. XIX, kohë kur ende vetëdija dhe ndërgjegja kombëtare ishin në formim e sipër, kjo racë e kjo njollë e bardhë gjeografike në Europë, kish tërhequr vëmendjen e studiuesve të historisë, të filologëve e linguistëve, të antropologëve e të etnografëve, madje dhe të gjeologëve e piktorëve peisazhist.
Ishin ata që shkruan të parët, që vunë piketa e përcaktuan grupin gjuhësor që flisnim, lidhjet e kësaj gjuhe me trakishten e ilirishten e që s’kishte asnjë lidhje filacioni me greqishten.

I ndoqën gjurmët e këtij kombi e kësaj gjuhe deri në origjinën ilire dhe shkelën në shumicën e rrënojave të Ilirisë së Jugut, ku kishin lulëzuar qytete e qytetërime. Një prej tyre ka qenë pareshtur në qëndër të vëmendjes, jo se ishte më i madhi, as se kishte famë historike apo pse kish lulëzuar ekonomikisht, por se i kish dhënë emrin kombit, gjuhës, trevës e më pas shtetit. Ishte Albanopoli.

vijon në pjesën e dytë…

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button