Lajme

Ambasadori britanik në Shqipëri: Dialogu Kosovë-Serbi s’po përparon aq sa ç’do të donim

Sir Stuart Peach është caktuar si i dërguar i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar në Ballkanin Perëndimor. Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Gabriel Escobar dhe Bashkimit Europian me Miroslav Lajçak, ka edhe një të dërguar të posaçëm nga Mbretëria e Bashkuar.

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Alastair King-Smith, foli për këtë angazhim në rajon.

Alastair King-Smith theksoi se ka shumë forca që duan ta minojnë këtë stabilitet të rajonit dhe Britania kërkon që të përforcojë stabilitetin.

“Besoj se e dini që Ballkani Perëndimor ka pasur gjithnjë rëndësi për Mbretërinë e Bashkuar. Si kur ishim në BE, edhe tani që nuk jemi më. Ky emërim është pjesë e angazhimit të përforcuar të Mbretërisë së Bashkuar në rajon. Shohim që ka çështje me rëndësi, jo vetëm për Ballkanin, por edhe për katër të gjitha vendet këtu. Stabiliteti rajonal është thelbësor, natyrisht. Ka shumë forca që duan ta minojnë këtë stabilitet të rajonit dhe duam të sigurohemi që po e luajmë rolin tonë sa më fort për ta përforcuar. I shohim me shqetësim zhvillimet në Bosnjë-Hercegovinë, se si dialogu Kosovë-Serbi s’po përparon aq sa ç’do të donim. Do të donim të kishim një rol sa më të fortë. Ky është roli i të dërguarit të posaçëm. Stuart Peach ka shumë përvojë. Ka qenë në Kosovë. Ka një histori të gjatë në krye të qeverisë e ushtrisë”.

Por pse është zgjedhur Sir Stuart Peach dhe a ka ndikuar e shkuara e tij si ushtarak?

“Pikërisht, ka përvojë ushtarake, por në nivel të lartë vendimmarrës. Ka qenë pjesë e Këshillit të Sigurisë, si dhe mes krerëve të NATO-s. E ka vizituar rajonin, Shqipërinë. E pëlqen Shqipërinë dhe di që mezi pret ta vizitojë bashkë me vendet e tjera, së shpejti. Ky emërim është vetëm një pjesë e angazhimit tonë të përforcuar. Sekretari i Jashtëm është angazhuar personalisht në rajon. Kryeministri ka folur me kryeministrin tuaj. Ministrat e Jashtëm janë takuar së fundmi në Riga e Stokolm për takimet e NATO-s dhe të OSBE-së. Shpresoj të shohim rritje të angazhimeve në vitet e ardhshme”, u shpreh ambasadori britanik.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button