Lajme

Çfarë e tronditi Rugovën gjatë vizitës në 1981 në Shqipëri (Dokumenti)

Nga Rubin Sheshi

Ibrahim Rugova, i cili u përkujtua dje me rastin e 16 vjetorit të vdekjes, ka qenë në Shqipëri në vitin 1981 për të marrë pjesë në një diskutim a përurim të një libri në Lidhjen tonë të shkrimtarëve. Kjo del nga publikimi i një dokumenti të bërë nga Kastriot Dervishi. Në shkresën që Dervishi ka publikuar nuk saktësohet se për ç’libër bëhet fjalë. Në kokë të shkresës është shkruar data: 10 mars 1981. Në kokë të saj shkruhet: “Ekstrakt nxjerrë nga informacioni 15 ditor nr. 78, datë 19 janar 1981 (1-15 janar 1981), mbi Ibrahim Rugovën”. Ministri, të cilit i është dërguar kjo shkresë dhe e cili është, sipas Dervishit, Feçor Shehu, ka lënë në fund shënimin rutinë “të përpunohet”.

Sipas dokumentit, Rugova, pasi është kthyer në Prishtinë, ka folur me të tjerë dhe u ka shprehur atyre tronditjen prej asaj që ka mësuar lidhur me letërsinë soc-realiste në vendin amë. “Në Shqipëri nuk ka liri krijimtarie. Shkrimtarët janë kthyer në burokratë. Krijuesve u jepen porositë e udhëzimet, dhe mbi këtë bazë ata punojnë.” citohet të ketë thënë Rugova.

Dervishi vetë komenton se “regjimi komunist i Tiranës qëndrimin e vet anti Rugovë e përcillte te mbeturinat marksiste që ishin në Kosovë”. Komentuesit në FB ishin në të njëjtën linjë me të. “Ky është një dokument që diskrediton kuqalashët e Tiranës”, thoshte njëri prej tyre. Dikush tjetër hidhte dyshime mbi autenticitetin e dokumentit. Më saktë, uronte të mos ishte i rremë, pasi “ça nuk bohet sot”. Të tjerë diskutonin mbi përmbajtjen e dokumentit.

Dokumenti, sidoqoftë, sipas të gjasave është autentik, gjë që duket nga mënyra se si është formuluar, nga gjuha e përdorur (newspeak-u orwell-ian i diktaturës), dhe nga ngjyra e verdhë e shkresës, që ka qenë tipike për praktikën burokratike atëbotë.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Gjithashtu mund te shikoni
Close
Back to top button