Lajme

Diplomati Bashkurti: Raporti Shqipëri-Serbi duhet të ketë në fokus zgjidhjen e problemeve të Kosovës

“Ballkani i Hapur” nuk gëzon mbështetje rajonale, vetëm trojka e Ballkanit e mbështet. Është një nismë në ajër më shumë sesa mbështetje politike e gjerë.

Kështu u shpreh për A2CNN diplomati shqiptar Lisien Bashkurti, sipas të cilit, problemi kryesor është mungesa e konsensusit.

“Problemi kryesor është mungesë e konsensusit të brendshëm qeveritar, nuk gëzon mbështetje rajonale, vetëm trojka e Ballkanit është përfshirë në të. Në nivel evropian ka pasur zëra kontroversë. Është cilësuar nismë jo e qëndrueshme, ndërsa në nivelet më të larta, nisma e ‘Ballkanit të Hapur’ është relativisht e mbështetur, se SHBA-ja insiston që të jenë të 6 vendet e Ballkanit”, thotë diplomati shqiptar.

Sipas tij, fakti që kjo nismë kundërshtohet nga gjysma e vendeve të Ballkanit do të thotë që nuk ka siguruar bindje të plotë në lidhje me qëllimin, objektivat dhe projektet dhe kjo, thekson Bashkurti, e vë në dyshim jetëgjatësinë e Ballkanit të Hapur.

“Nisma nuk mund të jetë ballkanike, për sa kohë gjysma e vendeve nuk i janë bashkuar. Serbia është e kënaqur se ajo është nismëtarja, ndërsa Shqipëria dhe RMV kanë pasur një mbështetje okulte të liderëve sesa mbështetje gjithëpërfshirëse. Fakti që edhe në Mal të Zi e Kosovë e kundërshtojnë nismën do të thotë që nuk ka siguruar një bindje të plotë për qëllimin, objektivat dhe projektet dhe kjo e vë në dyshim jetëgjatësinë e nismës. Ne kemi pasur në traditë konsensus në politikën e jashtme si p.sh. integrimin, nismat rajonale. Fakti që kjo nismë nuk ka mbështetje të gjerë do të thotë që nuk ka ngjallur besueshmëri dhe nuk ka dizenjuar qëllim e objektiva dhe projekte të drejta për gjithë vendet e Ballkanit. Iniciatorët të bisedojnë gjerësisht dhe me partnerët e SHBA-së sepse nisma ka paqartësi”, u shpreh Bashkurti.

Ai nënvizon se nisma ka ardhur nga Serbia dhe është mbështetur në mënyrë okulte vetëm nga liderët kryesorë të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo sipas Bashkurtit ka ngjallur skepticizëm

I pyetur në lidhje me marrëdhëniet Shqipëri-Serbi, Bashkurti i konsideron ato të paqarta, pasi sipas tij në fokus duhet të jetë zgjidhja e problemeve të Kosovës. Problem përbën edhe mungesa e sinqeritetit të Serbisë me rajonin dhe orientimi mes Perëndimit dhe Rusisë.

“[Marrëdhëniet] Janë shumë komplekse, duhet të kenë në fokus zgjidhjen e problemeve të Kosovës. Kosova duhet të jetë në qendër të bisedimeve, nuk mund të anashkalohet nga agjenda se marrëdhënia për normalizimin Serbi-Kosovë është themelore për rajonin e Ballkanit. Një marrëdhënie tjetër ka të bëjë me kontekstin rajonal. Politika rajonale e Serbisë në tërësi nuk është e qartë, ka mungesë sinqeriteti me rajonin. Lëvizjet në Republikën Serbe po krijojnë destabilitet në rajon, marrëdhëniet delikate mes Serbisë e Malit të Zi dhe marrëdhëniet e ngrira me Kosovën. Pozicioni i Serbisë nuk është i mbështetur në vlerat Perëndimore, politika serbe është bivektoriale, është shqetësim i madh që është e orientuar mes Perëndimit dhe Rusisë. Intensifikimi i marrëdhënieve të Rusisë me Serbinë është shqetësim për rajonin tonë. Rusia ka zhvendosur politikën rajonale. Putini mbështet interesat e Serbisë në rajon dhe kjo duhet të përbëjë shqetësim dhe për Shqipërinë”, deklaroi diplomati shqiptar, Lisien Bashkurti.

Ai thekson se “Kosova nuk është trajtuar si vend i barabartë me Serbinë, por si pjesë e saj dhe nuk e shikoj në këto kushte që Kosova të trajtohet si subjekt i barabartë nga Serbia dhe ky është problemi i madh që ka Serbi”.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Gjithashtu mund te shikoni
Close
Back to top button