LajmeSport

Federata Botërore e Atletikes e bindur qe Kosova do të garojë në Beograd

Deri më tani sportistët e Kosovës nuk janë lejuar që të garojnë në ngjarjet ndërkombëtare të mbajtura në territorin e Serbisë. Së fundi ishin boksierët që u diskriminuan, duke mos u lejuar të garojnë në Botëror.

Por Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC) ka kërcënuar së fundi Serbinë për diskriminimin ndaj sportistëve kosovarë. Dhe paralajmërimi i IOC-së pritet të ketë ndikimin e madh.

Me shumë gjasë sportistët nga Kosova do të garojnë në Serbi që nga marsi i këtij viti. Është Federata Botërore e Atletikës (World Athletics) që të dielën ka thënë se “nuk parashikon asnjë problem” për pjesëmarrjen e atletëve kosovarë në Botërorin në palestër që mbahet në Beograd prej 18 deri më 20 mars.

Është sajti i njohur, “insidethegames”, që ka pyetur Federatën Botërore nëse ka marrë garanci që Kosova do të lejohet të jetë pjesë e ngjarjes. World Athletics është përgjigjur se është e bindur që nuk do të ketë probleme.

“Është një kusht i organizimit të garës, kështu që ne nuk parashikojmë ndonjë problem”, ka thënë një zëdhënës i Federatës Botërore.

Deri më tani atletët kosovarë kanë shmangur pjesëmarrjen në ngjarjet e mbajtura në Serbi, kryesisht kampionate ballkanike. Ka pasur të tillë që kanë pyetur për mungesën e tentimit për të marrë pjesë. Mbetet të shihet nëse do të ketë përpjekje për pjesëmarrje në Botëror dhe nëse Serbia do të paraqet pengesa, që do të mund t’i kushtonte shtrenjtë.

Para boksierëve edhe karateistët nuk ishin lejuar të garojnë në Serbi, në ngjarje madhore ndërkombëtare. Ndërkohë hendbollistet e reja ishin të vetmet që ishin lejuar të hyjnë në territorin e Serbisë. Por vendosja në një qendër afër Beogradit, kishte ngjallë protesta në kryeqendrën serbe. Dhe autoritetet serbe në fund kishin anuluar turneun, duke marrë vendim për të ndaluar hyrjen e përfaqësueses së Kosovës në palestër.

IOC-ja kishte kritikuar Federatën Ndërkombëtare të Boksit për mbetjen jashtë Botërorit të boksierëve kosovarë. Dhe duket që IOC-ja nuk do të heq dorë nga vendimi për të siguruar paraqitjen e sportistëve kosovarë në ngjarjet që mbahen në Serbi.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button