Lajme

Gjeloshaj: Ne do ta përkrahim Abazoviqin për kryeministër

Kryetari i Partisë Alternativa Shqiptare, Nik Gjeloshaj, pavarësisht qëndrimeve të kundërta me zëvendëskryeministrin Dritan Abazoviq përgjatë qeverisjes aktuale në Mal të Zi, ka thënë se pakicat do ta përkrahin Abazoviqin të jetë në krye të Qeverisë.

Duke e përfshirë edhe veten, Gjeloshaj në një intervistë për DW, deklaruar se ardhja e Abazoviqit në krye të Qeverisë malazeze, do të ishte krenari për shqiptarët.

Sipas tij, me Abazoviqin kryeministër, Mali i Zi do të tregojë se është një shtet demokratik dhe i barabartë për të gjithë qytetarët dhe se do të krijohej një qeveri pro-evropiane duke vendosur një kryeministër nga pakicat.

“Kur kemi biseduar për herë të parë të gjitha pakicat për mundësinë e krijimit të një gjëje të tillë, i kemi thënë Dritanit, jo politikisht, urdhëro e ke përkrahjen pa kushte. Vetëm se të realizohet ky koncept i një qeverie pro-evropiane pro-perëndimore. Mendoj se do ta përkrahim, jam i sigurt se pakicat do ta përkrahin Abazoviqin të jetë në krye të Qeverisë. Në këtë drejtim mendoj se shqiptarët do të avancohen, por edhe i gjithë Mali i Zi do të avancohet. Me këtë Mali i Zi do të tregojë se ka një bashkëjetesë, edhe karshi faktorit ndërkombëtar, por edhe karshi të gjitha proceseve të tregojë një çështje që nuk e kanë shtetet tjera, ajo është që kryeministri të jetë nga pakicat. Me këtë mendoj se më shumë fiton Mali i Zi sesa shqiptarët, por se shqiptarët do të ndihen krenarë, unë personalisht ndihem shumë mirë nëse vjen një ditë kur në një shtet të cilin ne kemi kontribuar që ky shtet të zhvillohet e që ky vend të integrohet, dhe në fund me ardhjen e një shqiptari në krye të Qeverisë, mund të thuhet se kjo është ajo për të cilën edhe ne kemi luftuar, që Mali i Zi të jetë shtet demokratik dhe i barabartë për të gjithë qytetarët” ka thënë ai.

Gjeloshaj edhe në nëntor të vitit të kaluar ka propozuar që Qeveria e Malit të Zi të formohej nga pakica.

Sipas këtij propozimi, në qeveri do të hynin partitë parlamentare nacionale dhe një pjesë e partive qytetare, të udhëhequra nga Lëvizja Qytetare Ura, ndërsa kryeministër do të duhej të ishte Dritan Abazoviq.

Në seancën e sotme parlamentare në Mal të Zi, nuk u votua për shkarkimin e zv.kryeministrit Dritan Abazoviq, pasi shumica e deputetëve nuk e mbështetën agjendën që parashikonte votimin për shkarkimin e tij.

Propozimi për të larguar Abazoviqin nga posti i zëvendëskryeministrit u iniciua nga kryeministri Zdravko Krivokapiq si përgjigje ndaj nismës së mëparshme të Lëvizjes Qytetare të Ura dhe partive opozitare për të votuar mosbesimin ndaj Qeverisë së Krivokapiqit.

Nga gjithsej 81 deputetë, 77 ishin të pranishëm dhe vetëm 20 deputetë ishin për miratimin e rendit të ditës.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button