Lajme

Godfrey: I bëjmë thirrje Kurtit që t’i përmbahet Marrëveshjes së Brukselit

Ambasadori amerikan në Beograd, Anthony Godfrey, i ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që t’i përmbahet marrëveshjes së Brukselit për sa i përket krijimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Ne i bëjmë thirrje Kurtit që t’i përmbahet Marrëveshjes së Brukselit. Përfaqësuesi Special Miroslav Lajçak ka bërë presion për përfshirjen e çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe pres që të diskutohet. Unë ndaj pakënaqësinë tuaj. Kjo është pengesa më e madhe për krijimin e stabilitet më të madh në rajon. Pres që Serbia dhe Kosova të bëjnë përparim, sepse duhet. Nëse duan të sigurojnë një jetë më të mirë, e gjithë kjo duhet bërë. Beogradi dhe Prishtina duhet të krijojnë vetë një zgjidhje, nuk mund të vijë nga Rusia, SHBA-ja apo BE-ja. Ka hapa që tregojnë përmirësim. Për shembull, konflikti i targave u zgjidh përmes Brukselit”, tha Godfrey.

Ambasadori Godfrey, deklaroi po ashtu se Shtetet e Bashkuara nuk e shohin Serbinë si kërcënim, por tha se është e rëndësishme se si Serbia i trajton fqinjët e saj dhe si e perceptojnë ata Serbinë.

“Nëse do të isha nga rajoni, do të pyesja veten pse Serbia shpenzon kaq shumë në pajisje ushtarake, në vend që ato para t’i investojë në infrastrukturë”, tha Godfrey.

Godfrey tha se Serbia ka zgjedhur neutralitetin ushtarak dhe se vendimi i saj është një partneritet me Rusinë, por se Beogradi është gjithashtu një partner i fortë i Washingtonit dhe se gjithashtu blen pajisje ushtarake nga Franca dhe Shtetet e Bashkuara.

Sipas Godfreyt, Serbia e kupton rëndësinë e diversifikimit të burimeve të energjisë.

“Nëse mbështeteni vetëm tek Rusia, do të jetë më e vështirë të arrini një çmim më të mirë. Për të ardhmen afatgjate energjetike, diversifikimi është më i miri për Serbinë, sepse do të ketë një çmim më të mirë”, tha Godfrey, duke shtuar se ai pret që Serbia së shpejti të furnizohet me gaz përmes Greqisë.

Duke folur për tenderin për futjen e rrjetit të gjeneratës së pestë të telefonisë mobile – 5G, Godfrey vlerësoi se është e rëndësishme që Qeveria e Serbisë të marrë një vendim sovran në zgjedhjen e kompanisë së cilës do t’i besohet ajo punë.

“Shumë kompani amerikane besojnë se kompanitë kineze nuk janë të besueshme dhe kjo mund të ndikojë në investimet e huaja në Serbi”, tha Godfrey.

Ai tha se situata e paqëndrueshme në Bosnje dhe Hercegovinë mund të ketë pasoja të këqija për rritjen e vazhdueshme ekonomike të Serbisë.

Godfrey shprehu shpresën se anëtari serb i presidencës së BeH-së, Milorad Dodik e kupton se e ardhmja e Republikës Serbe është në BeH.

Në fund, ai tha se politika e Washingtonit ndaj Serbisë dhe Ballkanit Perëndimor nuk ndryshon, pavarësisht se kush është ambasadori amerikan në Beograd.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button