Lajme

Hekurudha Durrës-Prishtinë të marrë emrin Edith Durham

Nga Ismet Hamiti

Hekurudha Durrës-Prishtinë – projekt i jashtëzakonshëm, bën histori, vendos të dy republikat tona në hartën e infrastrukturës transportuese të botës. Ky projekt i ëndrrave shqiptare propozoj të pagëzohet “Hekurudha Edith Durham”, për nder të mikeshës së Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Po ndjek me vëmendje të madhe aktivitetet për ndërtimin e projektit të hekurudhës që lidhë Durrësin me Prishtinën. Është ky një projekt që, siç thuhet, ka qenë ëndërr e gjithë shqiptarëve, që tregon se për të është menduar me gjenerata.

Një proverb persian thotë “të mendohet mirë është punë e mençur, të planifikohet mirë është punë edhe më e mençur, të realizohet është puna më e mençur dhe më e mirë nga të gjitha”. (Thinking well is wise, planning well – wiser, doing well – wisest and best of all).

Faza “më e mençur”, realizimi i këtij projekti, është kjo që ka filluar tani. Ky projekt është i jashtëzakonshëm, me përfitime të jashtëzakonshme ekonomike e strategjike të shqiptarëve.

Në gjithë karrierën time prej mbi gjysmë shekulli, jam marrë me çështjet e zhvillimit, jo të rrjetit hekurudhor, por të një lloji tjetër të infrastrukturës, me atë të telekomunikacionit. Kam parë projekte (disa i kam realizuar edhe vetë) që kanë bërë histori, duke vendosur vende në hartën e telekomunikacioneve të botës. Por projekt me ndikim pozitiv të këtyre përmasave nuk kam pa. Ç’të thuhet ndryshe, pos ky projekt bën histori. Vendosë të dy republikat tona në hartën e infrastrukturës transportuese të botës.

Është një traditë e mirë e jona që personalitet e shquara të kombit të nderohen me vënien e emrave të tyre veprave të mëdha infrastrukturore me karakter kombëtar. Numri i bashkëkombësve tanë, që meritojnë nderim të përjetshëm për kontributin e tyre në shërbim të kombit, është i madh. Edhe sikur çdo pëllëmbë e kësaj toke të kthehej në monument nuk do të mjaftonte për të përkujtuar e nderuar të gjithë që kryen me nder detyrën ndaj kombit.

Është po ashtu traditë e mirë e jona që të nderohen edhe personalitete të kombësive tjera, të cilat kanë bërë shumë për kombin tonë. Edhe personalitete të huaja që meritojnë falënderimin dhe nderimin tonë të përjetshëm janë të shumta. Por është një që shquhet mbi të gjitha. Është zonjusha Edith Durham, Mbretëresha e Malësorëve , Mikesha e Shqipërisë dhe shqiptarëve. Duke pasur parasysh kontributin e saj aq të madh ndaj shqiptarëve, në kohët më të errëta kur në mënyrë sistematike fqinjët orvateshin të na asgjësonin, me shumë përulësi propozoj që ky projekt i madh, hekurudha Durrës=Prishtinë të pagëzohet me emrin “Hekurudha Edith Durham”.

Besoj se nuk ka ndër ne kush që nuk dinë për Edhith Durham. Ishte eksploratore, etnologe, bamirëse, reportere lufte dhe mbrojtëse e vendosur e lirisë për shqiptarët. Në fillim të shekullit të 20-të vendi i shqiptarëve, thellë në Perandorinë Otomane, ishte thuajse i panjohur për botën anglishtfolëse. Ajo ishte që i solli vendet tona në vëmendje të shtetit më të rëndësishme të botës të asaj kohe, Anglisë. Me këtë ajo, më shumë se çdo i huaj tjetër ndoshta, kishte ndihmuar që shteti shqiptarë të vendosej në hartë. Nuk ka personalitet më të denjë për të marrë emrin e këtij projekti.

Në fund, e kam edhe një propozim: Me 15 nëntor, në orë të caktuar, kur të kalojë nëpër luginën e Drinit, treni të “fishkëlleje” për 3 minuta, për të shënuar ditëlindjen e Mbretëreshës së Malësorëve, që të dëgjohet në tërë malësinë të cilën ajo e deshi dhe për të cilët bëri aq shumë.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button