Lajme

Hekurudhë, Shqipëri-Greqi/ Në Athinë diskutohet edhe shkëmbimi i energjisë

Shqipëria dhe Greqia do realizojnë së bashku projekte për shkëmbimin e energjisë, krijimin e baterive të magazinimit të energjisë por edhe ndërtimin e korridorit blu si dhe të linjës hekurudhore që do nisë nga Tirana në Pogradec e më tej në qytetin grek të Kastorias.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku zhvilloi një vizitë në Athinë ku pati takime me Ministrin e Energjisë dhe të Ambientit, Kostas Skrekas, Ministrin për Infrastrukturën dhe Transportin, Kostas Karamanlis dhe zëvendësministrin e Jashtëm për Çështjet Ekonomike, Kostas Fragogiannis. Në këto takime janë diskutuar projekte të rëndësishme për linjën e energjisë mes dy vendeve por edhe linjën hekurudhore.

“Shqipëria dhe Greqia janë të lidhur ngushtësisht përmes një linje moderne të interkonjeksionit, e cila mund të përdoret për të depozituar energji në të dyja vendet tona, ose për të krijuar kontrata shitje afatgjata të cilat do të kenë një çmim shumë më të mirë nga ai i tregut. Gjithashtu, diskutuam për asistencën teknike që ne mund të marrim nga Ministria e Energjisë dhe Ambientit greke përsa i përket çështjes së krijimit të baterive, të magazinimit të energjisë, që është një nga çështjet më të rëndësishme dhe iniciativat më përparimtare që Bashkimi Europian po shtyn përpara në këto momente”, u shpreh ministrja.

Në takimin me Kostas Karamanlis, Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës, në fokus ishin dy projektet infrastrukturore të cilat lidhin dy vendet, Korridori Blu dhe linja hekurudhore që do te kalojë nga Pogradeci deri në daljen e Jeropigjisë në Greqi. Për këtë projekt do ketë edhe një memorandum bashkëpunimi.

“Në ditët në vijim ne do të firmosim një memorandum bashkëpunimi dhe mirëkuptimit përsa i përket një projekti të përbashkët, projekt i cili lidh dy shtetet tona përmes hekurudhës. Hekurudhës që duhet të ndërtohet nga Pogradeci deri në daljen e Jeropigjisë përsa i përket tokës greke duke e lidhur atë me qytetin e Kastorias. Folëm gjithashtu për projektin e madh ndëreuropian të Korridorit Blu, të cilin Qeveria Shqiptare e ka nisur në Mars të vitit 2020, por për shkak të pandemisë u shty në kohë dhe tani është koha e duhur për ne që ta nisim këtë projekt dhe një herë nga e para, por është dhe momenti kur shteti grek po nis pjesën e cila do të lidhë autostradën joniane, atë në pikën e daljes në Janinë me pikën kufitare të Kakavijës”, tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se këto projekte ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve të dyja vendeve, teksa ka shprehur angazhimin për t’i çuar përpara këto iniciativa.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button