Lajme

Itali/ Poetja Irma Kurti nderohet me një tjetër çmim prestigjioz

Për poeten dhe shkrimtaren shqiptare Irma Kurti arrin një tjetër vlerësim prestigjioz: nderohet me çmimin që mban emrin e një nga poetëve më të rëndësishëm italianë, Giacomo Leopardi. Ky vlerësim i akordohet nga Shoqata Kulturore e Artit Bashkëkohor në Lecce.

Shoqata, e themeluar në vitin 1994, synon të promovojë artistët dhe krijuesit jo vetëm në Itali, por edhe në shkallë ndërkombëtare. Çmimi u jepet artistëve italianë dhe të huaj, të cilët punojnë dhe kontribuojnë në çdo sektor të artit. Ndryshe nga vlerësimet e tjera, ata përzgjidhen përmes veprave fituese në konkurse ndërkombëtare, nga biografia dhe karriera e tyre letrare, krijimet në faqet e internetit etj. Në juri bëjnë pjesë shkrimtarë, gazetarë dhe kritikë arti.

“Ky vlerësim i cili bazohet në rrugëtimin dhe dedikimin tim poetik – thotë Kurti – do të jetë një shtysë dhe frymëzim i ri për të vazhduar krijimtarinë letrare dhe për ta vënë atë gjithnjë në shërbim të njerëzve.”

Irma Kurti është gjithashtu fituese e shumë çmimeve të tjera të rëndësishme. Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.

Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Italiane. Në 2021 nderohet me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëreshë në Itali.

Poetja shqiptare ka botuar njëzet e tre libra në gjuhën shqipe, gjashtëmbëdhjetë në italisht dhe gjashtë në anglisht. Veprat e saj janë përkthyer në disa gjuhë të huaja.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button