Lajme

Kolosi i letërsisë shqipe rikthehet në Gjirokastër, shëtit bashkë me Helenën

Gjeniu i letrave shqipe Ismail Kadare është rikthyer në Gjirokastër, në qytetin ku lindi 85 vite më parë. Në këto foto të publikuar nga ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro, Ismail Kadare dhe bashkëshortja e tij Helena, shfaqen duke shëtitur nëpër kalldrëmet e “qytetit të gurtë”.

“Kënaqësia e patregueshme e shëtitjes mbrëmësore me shkrimtaret: Helena dhe Ismail Kadare. Bashkë me Flamur Golemin në sokakët e Qytetit të gurtë me shkrimtarin që i kushtoi “Kronikën” më të bukur letrare Gjirokastrës së tij, Gjirokastrës time, Gjirokastrës sonë. Sa më pëlqen kur thotë: “Është bërë Gjirokastra si Paris” se rëndësi ka si i ndjen gjërat”, shkruan Kumbaro.

Gjirokastra është qyteti ku shkrimtari i njohur kaloi një pjesë të mirë të jetës së tij. Qyteti i gurtë, siç Kadare përshkruan në romanin “Kronikë në Gur” “thyhen të gjitha ligjet e arkitekturës” dhe ka ndikuar jo pak në krijimtarinë e shkrimtarit.

Letërsia e Kadaresë është përkthyer në më shumë se 45-së gjuhë. Ai ka qenë disa herë kandidat për çmimin “Nobel” në letërsi dhe së fundmi ka marrë dekoratën më të lartë franceze, si ‘Komandant i Legjionit të Nderit’. Kadare (lindur në Gjirokastër, më 1936) është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj bashkëkohorë. Si shkrimtar shquhet kryesisht për prozë, por ka botuar edhe vëllime me poezi dhe ese. Nisi të shkruajë kur ishte ende i ri, fillimisht poezi, me të cilat u bë i njohur, e më pas edhe prozë, duke u bërë prozatori kryesor shqiptar.

Kadare njihet si shkrimtar i cili në veprat e tij në mënyrë të qëllimshme u shmang nga realizmi socialist, dhe si i tillë veprat e tij u përkthyen dhe u lavdëruan nga kritikët dhe lexuesit anembanë botës. Ai krijoi një vepër me karakter universal por që rrënjët i ka thellë në tokën shqiptare. Kadare konsiderohet nga disa si një nga shkrimtarët dhe intelektualët më të shquar evropianë të shekullit të 20-të, si dhe një zë universal kundër totalitarizmit. Viteve të fundit, ai e ndan kohën e tij mes Francës dhe Shqipërisë.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Gjithashtu mund te shikoni
Close
Back to top button