LajmeOpinion

Kosova – shtet i pavarur e sovran nuk ka alternativë!

NGA PROF. DR. ENVER BYTYÇI

Edward Joseph është i njohur në botën akademike amerikane për ekspertizën e tij ballkanike. Ai, përmes shkollës së Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara të Universitetit “John Hopkins” dhe Qendrës “Woodrow Wilson”, së bashku me disa ekspertë të rajonit ka sugjeruar një lloj udhërrëfyesi për zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë dhe vendosjen e ekuilibrit të paqes në Ballkan. Formula e tij, sidomos ajo që Kosovën ta njohin katër shtetet anëtare të NATO-s, është trajtuar disa herë edhe në komentet e mia të mëhershme. Prandaj them se në këtë pikë nuk ka dilema. Nëse Kosova njihet prej Greqisë, Spanjës, Rumanisë dhe Sllovakisë, atëherë Evropa do të ishte më stabile dhe në paqe.

Logjikisht qëndron ideja se “Shpërbërja e Jugosllavisë ka filluar në Kosovë dhe se procesi i kësaj shpërbërjeje duhet të përfundojë në Kosovë”! Kjo është një e vërtetë historike e patjetërsueshme. Kosova ishte e para që lajmëroi rënien e Jugosllavisë dhe bashkë me të edhe të sistemit komunist lindor. Dhe kjo meritë historike i takon asaj. Çka do të thotë se i takon edhe shtetësia si përmbyllje e shtetformimit në Ballkan. Kosova- shtet i pavarur dhe sovran nuk ka alternativë. Dhe këtë skemë të stabilitetit dhe paqes në Ballkan do ta vendoste trysnia amerikane dhe vendeve të fuqishme evropiane ndaj katër shteteve euro-atlantike si dhe ndaj Qipros për njohjen e saj. Kjo njohje është e domosdoshme për Kosovën, por edhe për Evropën dhe NATO-n.

Nga njohja e të gjitha vendeve euro-atlantike Kosova përfiton një marrëveshje me Serbinë, në thelbin e të cilës do të ishte ruajtja e sovranitetit, tërësisë territoriale, unitarizmit dhe institucioneve funksionale të saj. Më tej do të kishim një integrim të pakicës serbe, sidomos në veri, në institucionet dhe shoqërinë kosovare. Dhe e gjitha kjo do të vinte për shkak të respektimit të lirive dhe të drejtave të pakicave në Kosovë. Ky zhvillim pozitiv do të çojë në konsolidimin e shtetit dhe do të evitonte çdo mundësi të ndryshimit të hartës politike në Ballkan, çka do të sillte konflikte e gjakderdhje të re.

Mos-ndryshimi i kufijve në rajonin tonë është interes i të gjithë kombeve dhe shteteve ballkanike, jo thjesht se ruhen shtetet aktuale, përfshirë dhe Kosovën, por se garancia për ekzistencën e tyre funksionalizon këto shtete dhe i hap rrugë mirëkuptimit dhe integrimit të këtyre vendeve në strukturat e BE-së e të NATO-s, si dhe në vetë këtë bashkësi shtetesh. Ndërkaq konsolidimi i shtetësisë në të gjashtë vendet e Ballkanit Perendimor dhe mënjanimi i konfliktit për kufijtë dhe dominim midis tyre i jep fund nevojës dhe idesë për krijimin e asaj që quhet “shtet i botës serbe”, apo siç e përcaktojnë disa, “Shqipëri e Madhe”!

Në këtë aspekt raporti i shkollës së studimeve të avancuara të universitetit John Hopikns dhe qendrës Woodrow Wilson rekomandon që SHBA-të të sanksionojnë çdo politikan të Shqipërisë ose Tiranës, nëse ata predikojnë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Daniel Serwer është kundër këtij rekomandimi. Ai, bazuar në të drejtën, thotë se njerëzit nuk mund të sanksionohen e të dënohen për mendimet që japin, por vetëm atëherë kur ata kryejnë veprime praktike në kundërshtim me kushtetutën dhe ligjin. Juridikisht Serwer ka të drejtë. Praktikisht mendoj se politikanët shqiptarë bëjnë gabim dhe hedhin benzinë në zjarrin serb të krijimit të Serbisë së Madhe kur ata flasin për bashkim të Kosovës me Shqipërinë.

Tashmë është shumë e qartë se në Beograd punojnë për “mbrojtjen” dhe jetësimin e asaj që quhet “bota serbe”! Kjo veprimtari shtetërore, politike dhe agjitative e lobuese edhe në qendrat evropiane dhe në SHBA duket qartë. Nëse politikanët shqiptarë fillojnë e flasin për atë që mund të quhet “bota shqiptare”, a ndihmon kjo në realizimin e projeksionit serb të përmendur më lart? Unë mendoj se po. Çdo përsiatje e ndonjë lloj bashkimi midis copave ku janë shpërndarë shqiptarët është ndihmë për politikat serbe të krijimit të Serbisë së Madhe. Dhe krijimi i kësaj Serbie shkon në drejtim të zgjerimit në territoret shqiptare, para së gjithash në veri të Kosovës.

Predikimi i bashkimit Shqipëri-Kosovë është predikim dhe përpjekje për ndryshimin e kufijve në rajon. A nuk është Serbia ajo që e para e dëshiron me shumë ëndje këtë proces?! Pikërisht për këtë arsye gjykohet se politikanët shqiptarë do të duhet të jenë të vëmendshëm dhe të kujdesshëm. Kërkesa e Edward Joseph për të sanksionuar mund të jetë e tepruar nga pikëpamja e së drejtës, por është një kërkesë që i bën dobi interesave shtetërore të Shqipërisë dhe të Kosovës, si dhe shqiptarëve në Ballkan.

Në fund të fundit le të diskutohet se çfarë të mire sjell ndryshimi i kufijve ose bashkimi i shteteve ballkanike. Një bashkim i mundshëm i Kosovës me Shqipërinë do të sillte ndarjen e Kosovës. A është interes kombëtar i shqiptarëve kjo?! Unë besoj se është antikombëtare dhe jo produktive një gjë e tillë. Bashkimi i Shqipërisë me Kosovën do të sillte dezintegrimin e shtetit të Maqedonisë. A kanë interes shqiptarët që të ndahet Maqedonia? Njerëzit me pak dije dhe kulturë në njohjet gjeopolitike duhet të dinë se edhe në këtë rast prishet paqja, destabilizohet rajoni dhe humbin shqiptarët! A kanë interes Shqipëria dhe Kosova të shpërbëhet Bosnjë-Hercegovina, si dhe Mali I Zi, gjë që do të ndodhë në rast se pretendohet dhe realizohet bashkimi i Kosovës me Shqipërinë?! Gjithkush e di se shpërbërja e Bosnjës dhe asgjësimi i shtetësisë së Malit të Zi krijon Serbinë e Madhe dhe e kthen rajonin në situatën e para vitit 1990! Madje me një Serbi më kompakte dhe më të fuqishme se asokohe.

Nga e gjithë kjo panoramë shkojmë të përfundimin se propozimet e Edward Joseph janë të dobishme dhe në funksion të paqes e stabilitetit në rajonin e Ballkanit. Për mendimin tim stabiliteti e paqja në rajonin tonë janë interes i BE-së, NATO-s dhe fatmirësisht edhe i shqiptarëve në Ballkan. Kjo ngjizje duhet shfrytëzuar. Kjo do të thotë se pavarësisht sanksionohen ose jo politikanët shqiptarë në Tiranë e në Prishtinë, ata duhet të harrojnë retorikën e bashkimit kombëtar, qoftë dhe përdorimin formal të saj!

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Gjithashtu mund te shikoni
Close
Back to top button