Lajme

Macroni e Milanoviqi, marrëveshje për angazhim shtesë në dialogun Kosovë – Serbi

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, po qëndron në një vizitë zyrtare dyditore në Kroaci, prej nga ka zhvilluar takime me disa prej liderëve institucionalë të vendit.

Me rastin e vizitës së tij është nënshkruar një marrëveshje mes dy vendeve, që ka për qëllim forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit, si dhe që t’i japë marrëdhënies së tyre një dimension të ri strategjik mbi disa çështje me interes për të dy vendet.

Ndër pikat e kësaj marrëveshjeje është edhe çështja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, i zhvilluar në Bruksel nën ndërmjetësimin e emisarit të BE-së, Miroslav Lajçak.

Aty thuhet se dy vendet do t’i intensifikojnë shkëmbimet e tyre të rregullta mbi situatën në Ballkanin Perëndimor, e që do të përqendrohen në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, por edhe për situatën në Bosnjë e Hercegovinë, si dhe për rolin e aktorëve të tjerë në rajon.

“Kroacia dhe Franca do të intensifikojnë shkëmbimet e tyre të rregullta për situatën në Ballkanin Perëndimor, veçanërisht në nivel të drejtorëve të përgjithshëm kompetentë në ministritë përgjegjëse për punët e jashtme dhe evropiane të dy vendeve. Këto konsultime të rregullta do të fokusohen veçanërisht në situatën në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe gjendjen e dialogut të udhëhequr nga BE-ja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, si dhe në rolin e aktorëve të tjerë në rajon dhe çështjet që lidhen me procesin e zgjerimit të BE-së”.

“Të dy vendet do të kontribuojnë në promovimin e vlerave dhe reformave evropiane në Evropën Juglindore dhe do të inkurajojnë masat për arritjen e stabilitetit politik, dialogut të vërtetë, marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe pajtimit midis shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë inkurajimin e shkëmbimeve ndërmjet shoqërive civile të këtyre shteteve, duke përfshirë OJQ-të”, thuhet në pikën 2.1 të marrëveshjes, pikë e titulluar “Dialogu politik mbi Ballkanin Perëndimor”.

Duke u mbështetur në njohuritë e thella që shteti kroat ka për rajonin dhe duke u bazuar në strategjinë kombëtare që shteti francez e ka miratuar për Ballkanin Perëndimor, marrëveshja thotë se dy vendet do të bashkëpunojnë për të siguruar stabilitet dhe prosperitet të mëtejshëm në rajon, i cili ndodhet në afërsi të BE-së.

“Kroacia dhe Franca do të mbështesin gjashtë vendet e interesuara në rrugëtimin e tyre drejt Bashkimit Evropian, duke riafirmuar perspektivën e tyre evropiane, në përputhje me metodologjinë e re, përmes shkëmbimeve të rregullta të nivelit të lartë, projekteve konkrete dhe mbështetjes për reformat në rajon. Të dy vendet do të ofrojnë mbështetje për vendet e Ballkanit Perëndimor në fushat e sigurisë dhe mbrojtjes, duke përfshirë, aty ku është e përshtatshme, duke punuar së bashku në kuadrin e NATO-s”, thuhet ndër të tjera në këtë marrëveshje për sa i përket stabilitetit dhe prosperitetit të Evropës Juglindore.

Ndërkaq, në konferencën e përbashkët për media me presidentin kroat, Zoran Milanoviq, Macroni tha: “Bashkëpunimi që do ta forcojmë, bashkëpunimi dypalësh është jashtëzakonisht i rëndësishëm për temën para nesh dhe kjo është tema e Ballkanit Perëndimor. Çështja e paqes është një çështje strategjike për BE-në, do të na mundësojë të ndërtojmë një fazë të re në Ballkanin Perëndimor. E di që ju intereson kjo çështje dhe e di që lidhjet tuaja me Ballkanin Perëndimor do të na ndihmojnë neve në këtë aspekt”, tha Macroni.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Gjithashtu mund te shikoni
Close
Back to top button