Lajme

Mbërrin në Kosovë ambasadori i ri amerikan

Ambasadori i ri i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeff Hovenier ka mbërritur në Kosovë.

I ngarkuari i deritashëm me Punë në ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, Nicholas Giaxobbe ka njoftuar se e ka pritur ambasadorin Hovenier.

“Sot e mirëprita në Prishtinë ambasadorin e emëruar Jeff Hovenier. Ka qenë nder të shërbej si i Ngarkuar me Punë gjatë disa muajve të fundit”, shkroi Giacobbe në Twitter.

Siç njoftoi ai, ambasadori Hovenier do t’i dorëzojë letrat kredenciale gjatë ditës së nesërme.

“Vazhdoni ta ndiqni Ambasadën e SHBA-së në Kosovë për përditësime mbi javët e para të Ambasadorit Hovenier, përfshirë ceremoninë e kredencializimit të tij nesër”, shkroi Giacobbe.

Ambasada amerikane në Prishtinë ka njoftuar më 28 dhjetor se Jeffrey Hovenier është betuar si ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara në Kosovë para nënsekretares amerikane e Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland.

Hovenier është diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, i cili ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës.

Në një seancë dëgjimore para Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë në tetor të vitit të kaluar, Hovenier ka thënë se, nëse konfirmohet në postin e ambasadorit, ai do ta ketë prioritet vazhdimin e mbështetjes amerikane për një Kosovë sovrane e demokratike.

Ai po ashtu ka thënë se do ta inkurajojë Kosovën për konstruktivitet dhe fleksibilitet në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Hovenier është nominuar për ambasador në Kosovë në muajin korrik, nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Gjithashtu mund te shikoni
Close
Back to top button