Lajme

Mbretëria e Bashkuar emëron të Dërguarin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka emëruar të dërguarin e posaçëm për Ballkanin Perëndimor si pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Mbretërisë së Bashkuar për zhvillimin dhe prosperitetin e rajonit.

Stuart Peach do ta marrë detyrën e re pasi të ketë dhënë dorëheqje nga detyra e Kryetarit të Komisionit Ushtarak të NATO-s, një rol të cilin e mban prej vitit 2018. Më parë ai ka shërbyer edhe si Shef i Shtabit të Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar.
“Si i Dërguar i Posaçëm i Kryeministrit, Stuart Peach do të punojë me liderët e Ballkanit Perëndimor, me të tjerët në rajon, dhe aleatët në SHBA dhe Evropë, për të mbështetur dhe përforcuar stabilitetin rajonal. Puna e tij do të përfshijë gjithashtu promovimin e institucioneve të forta demokratike dhe shoqërive të hapura, duke favorizuar luftën ndaj krimit të organizuar dhe sfidat e tjera të përbashkëta të sigurisë, si dhe inkurajimin e zgjidhjes së çështjeve të trashëguara, si krimet e luftës dhe personat e zhdukur”, thuhet në njoftimin e ambasadës së Britanisë së Madhe në Prishtinë.

“Lidhur me këtë të fundit, Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë gjithashtu të udhëheqë punën për avancimin e barazisë gjinore dhe zbatimin e Iniciativës për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Konflikt. Në Bosnje dhe Hercegovinë, puna e Stuart Peach do të mbështesë atë të Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtar, Christian Schmidt, i cili vazhdon të ketë mbështetjen e plotë të Britanisë. Për Serbinë dhe Kosovën, ai do të punojë me partnerët ndërkombëtarë në mbështetje të dialogut Serbi-Kosovë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, thekson tutje komunikata.

“Mbretëria e Bashkuar është thellësisht e përkushtuar ndaj sigurisë në Evropë. Ballkani Perëndimor po përjeton kërcënimin më të madh për stabilitetin dhe sigurinë në më shumë se dy dekada. Ne kemi përgjegjësinë të bëjmë gjithçka që mundemi për të ruajtur sukseset e arritura përmes paqes dhe dialogut – nuk mund të lejojmë asnjë kthim në dhunën dhe ndasitë e së kaluarës. Përvoja dhe ekspertiza e gjerë e Sir Stuart Peach do të përforcojë përpjekjet ndërkombëtare për të mbrojtur paqen dhe për të promovuar integrimin euroatlantik në këtë rajon kyç.”, ka deklaruar Boris Johnson.

Për Bosnje dhe Hercegovinën, Përfaqësuesi i Lartë ka paralajmëruar se vendi po përballet me kërcënimin më të madh ekzistencial të periudhës së pasluftës dhe se ka një perspektivë reale për ndarje dhe konflikt të mëtejshëm. Së bashku me partnerët ndërkombëtarë, Mbretëria e Bashkuar po punon për të luftuar çdo kërcënim ndaj stabilitetit në përputhje me Marrëveshjen e Paqes së Dejtonit, e cila ka qenë në themel të 26 viteve përparim të fituar me vështirësi në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Mbretëria e Bashkuar po ndihmon gjithashtu në përgjigjen ndaj sfidave të tjera rajonale, duke përfshirë mbështetjen e normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, dhe luftën ndaj grupeve të krimit të organizuar. Mbretëria e Bashkuar do të luaj një rol të rëndësishëm, duke punuar ngushtë me qeveritë e Rajonit dhe partnerët ndërkombëtarë”, thuhet tutje në njoftim.

“Emërimi i Sir Stuart Peach është një demonstrim i qartë i përkushtimit të Britanisë për Ballkanin Perëndimor dhe për mbrojtjen dhe promovimin e lirisë dhe demokracisë në rajon. Mirëpres thellimin e lidhjeve ekonomike dhe të sigurisë me Ballkanin Perëndimor si dhe punën së bashku për të penguar aktorët keqdashës. Sir Stuart Peach do të luajë një rol kyç në këtë drejtim.”, ka deklaruar ministrja e Jashtme, Liz Truss.

Situata politike në Ballkanin Perëndimor është diskutuar në takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Riga, si dhe në takimin e Ministrave të Jashtëm të G7-s në Liverpool.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Gjithashtu mund te shikoni
Close
Back to top button