Lajme

Me një Rusi të tillë, Finlanda dhe Suedia ndërrojnë mendje për t’iu bashkuar NATO-s

Suedia dhe Finlanda më pranë se kurrë për t’u bashkuar me NATO-n.

Kjo falë kërkesave ruse që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të ndalojnë anëtarësimin e shteteve në aleancë.

Një Kremlin luftarak që kërcënon një pushtim të mundshëm të Ukrainës i ka dhënë një shtysë të re bashkimit me NATO-n të të dyja vendeve, të cilat janë ushtarakisht të palidhura dhe u përpoqën të shmangin marrjen e anëve në Luftën e Ftohtë.

Retorika agresive e presidentit rus, Vladimir Putin, në javët e fundit ka shkaktuar ndryshime në politikat e vjetra partiake dhe ka bindur disa ish-kundërshtarë të anëtarësimit në NATO që të ndryshojnë mendje.

Një deputet finlandez i tha prestigjiozes britanike “Telegraph” se vendi ishte tani “më afër se kurrë” për të aplikuar për anëtarësim në NATO.

Washington zyrtar, nga ana tjetër, i ka thënë Suedisë dhe Finlandës se mbështet të drejtën e tyre për të zgjedhur.

Të premten e 7 janarit, Antony Blinken, Sekretari Amerikan i Shtetit, hodhi poshtë kërkesat ruse që NATO-ja të mos pranonte anëtarë të rinj.

Magdalena Andersson, kryeministrja e Suedisë, tha se kishte diskutuar “mundësinë e partneritetit me aleancën ushtarake” në bisedimet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

“Në Suedi, jemi ne vetë ata që duhet të vendosim për politikën tonë të jashtme dhe të sigurisë dhe me të cilët zgjedhim të bashkëpunojmë”, tha ajo, në një deklaratë jashtëzakonisht të fortë për liderin e një partie që ka kundërshtuar prej kohësh anëtarësimin.

Presidenti i Finlandës, Sauli Niinistö dhe Sanna Marin, kryeministrja, të dy thanë se Helsinki rezervoi të drejtën për të zgjedhur nëse do t’i bashkohet NATO-s ose jo në të ardhmen.

Zyrtarët e NATO-s besojnë se çdo proces anëtarësimi do të ishte relativisht i shpejtë, sepse vendet tashmë janë në përputhje me shumë prej standardeve të pritura nga blloku 30-vendesh.

Një sondazh vitin e kaluar zbuloi se 46 për qind e qytetarëve suedezë tani mbështesin anëtarësimin në aleancë, nga vetëm 17 për qind në 2012.

Demokratët populistë suedezë e ndërruan politikën e tyre ndaj NATO-s në dhjetor.

Parlamenti më pas votoi përmes një deklarate në favor të një “opsioni të NATO-s”, i cili, nëse miratohet nga Qeveria, do të krijonte terrenin që Suedia, ashtu si Finlanda, të mund të bashkohet me shpejtësi në aleancë nëse kërcënohet.

Elina Valtonen është deputete dhe nënkryetare e Partisë së Koalicionit Kombëtar, e cila ka mbështetur anëtarësimin e Finlandës në NATO që nga viti 2006 dhe është në opozitë.

Valtonen tha se kishte shenja të shfaqura të mbështetjes ndërpartiake për lëvizjen midis brezit të ri të politikanëve.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Gjithashtu mund te shikoni
Close
Back to top button