Lajme

Nga Gjermania në Tiranë, Viola Xhemali para një sfide të madhe

Edhe pak ditë na ndajnë nga ngjarja kulturore më e madhe e vitit në Shqipëri, Festivali i Këngës në Radiotelevizion. Shumë artistë të njohur por dhe të rinj do të jenë në skenë për t’na përcjellë emocionet e këngëve të tyre të reja duke konkuruar për atë që të gjithë e kanë ëndërr: Të përfaqësojnë Shqipërinë në Eurovizion. Ky Festival do të jetë i veçantë pasi shënon edhe 60 vjetorin e themelimit të tij, por edhe që do të ketë edhe një këngëtare të re që vjen nga Gjermania. Ajo quhet Viola Xhemali, e cila është bërë e njohur më herët me pjesëmarrjen e saj tek Kënga Magjike në 2018. Ajo vjen me këngën “Eja si erë”.

Talentin e saj Viola e ka zbuluar qysh kur ishte pesë vjeç duke kënduar me karaoke . Madje kur ishte 12 vjeçe ajo mori pjesë në Casting (Supertalent) në Gjermani. Falë talentit, por dhe të një disipline të fortë për të dhënë maksimumin , ajo merr pjesë në vitin 2015 në konkursin më të madh në Gjermani, DSDS . Muzika është pasioni më i madh që ajo ka. Megjithëse e lindur dhe e rritur në Gjermani, ajo me vullnetin e saj mësoi gjuhën shqipe aq mirë sa arrin të shkruajë vetë edhe tekste këngësh në shqip. Muzikën shqiptare e do shumë. Pothuajse çdo ditë dëgjon këngë të artistëve më të preferuar të saj si: Aurela Gaçe, Ariena Ara, Noizy, Ylli Limani, Irkenc Hyka e shumë të tjerë të muzikës shqiptare. Pikërisht ky pasion dhe talent e bëri Violën të jetë pjesë e Festivalit të Këngës Magjike tre vjet më parë.

“Unë e kam ëndërruar gjithmonë të jem pjesë edhe në skenën e një festivali të këngës në Radiotelevizion. Tani kjo dëshirë është bërë realitet dhe për këtë jam shumë e lumtur“, thotë Viola me sytë e saj që i shkëlqejnë nga gëzimi. Por sa besim ka ajo që këtë sfidë ta përballojë me sukses? “Pse jo. Unë besoj shumë që do të kem sukses, sepse unë e di çfarë do publiku dhe po ashtu unë kam punuar shumë që ta përfaqësoj veten në nivelin më të lartë. Natyrisht që kjo sfidë nuk është e lehtë, por me shumë dashuri dhe mbi të gjitha me faktin se kjo sfidë është para një publiku në atdheun tim dhe të prindërve të mi, do ja dal. Kam punuar shumë që kjo ëndërr e imja të bëhej realitet, sepse unë mbi të gjitha jam Viola e vërtetë“, shprehet këngëtarja e re nga Gjermania. Natyrisht që ëndrrat e saj nuk mbarojnë me kaq. Ajo shpreson që një ditë mund të përfaqësojë edhe Shqipërinë në Eurovizion. Ndaj të gjithë shqiptarët në Gjermani i urojnë nga zemra: Suksese të mëtejshme Viola!

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Gjithashtu mund te shikoni
Close
Back to top button