Lajme

Një rrugë në Tiranë merr emrin “Ukraina e Lirë”

Një nga rrugët e bllokut ku ndodhen selitë e ambasadave në Tiranë, pranë ambasadës së Ukrainës, ambasadës Ruse dhe asaj Serbe, do të emërtohet “Ukraina e Lirë” të hënën.

Lajmin e dha sot kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili e vlerësoi këtë gjest të Tiranës si një mesazh të qartë se s’mund të rrimë duarkryq pas asaj çka po ndodh me sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.

Veliaj, i cili së bashku me ambasadorin e Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shkurov, ndihmuan sot në ngarkimin e kamionit të parë me ndihmat e mbledhura nga qytetarët e Tiranës për qytetarët e Ukrainës, tha se është krenar për gjithë këtë bujari e solidaritet.

“Ne vërtet nuk mund të çojmë armë, por mund të çojmë ushqime dhe një mesazh. E një nga mesazhet që duam të çojmë, përmes Këshillit Bashkiak të Tiranës të hënën, është vendimi për të emërtuar një segment në bllokun e selive të ambasadave, që ndodhet pranë ambasadës së Ukrainës, me emrin Rruga “Ukraina e Lirë”. Ky është një mesazh që po jepet nga shumë qytete. Qëllon që në atë rrugë ndodhet edhe Ambasada e Rusisë – do të duhet që, ata, dhe të gjithë të tjerët aty, ta ndërrojnë adresën në kartëvizita me rrugën “Ukraina e Lirë”. Është një mënyrë për të treguar se ne nuk mund të rrimë duarkryq,” u shpreh Veliaj.

Ai reagoi edhe për protestën e zhvilluar ditën e djeshme në Beograd. “Ajo që ndodhi dje në Serbi është e turpshme. Nuk është aspak dinjitoze që një vend në Ballkan të protestojë dhe të mbështesë ndërhyrjen ruse në Ukrainë. Jemi ndjerë vërtet të fyer nga fakti se ka ende sot vende që kanë avancuar drejt BE-së më shumë se sa ne dhe në një moment kritik, ku duhet të tregojë vlerat evropiane, proteston në solidaritet me Rusinë, që është shtypësi, pushtuesi, armiku, kundërshtari i lirisë. Ndaj, Tirana duhet të bëjë kontrast edhe këtu,” deklaroi kryebashkiaku.

Nga ana tjetër, Veliaj dhe ambasadori Shkurov shprehën mirënjohjen për solidaritetin e qytetarëve dhe bizneseve, të cilat iu bashkuan thirrjes për ndihma për të prekurit nga lufta në tendat e ngritura nga Bashkia dhe ambasada e Ukrainës.

“Jam shumë krenar për bujarinë që patëm nga qytetarët e Tiranës – bujari, e cila vërshoi në të gjitha tendat e hapura nga Bashkia e Tiranës, po ashtu edhe në ambasadën e Ukrainës. Është një moment jashtëzakonisht i vështirë, por secili duhet të bëjë të vetën. Ne shqiptarët kemi kaluar vështirësi nga lufta në Kosovë apo situata me tërmetin dhe e dimë çfarë do të thotë të kesh nevojë. Duam që këtë aksion ta vazhdojmë deri në datën 14 Mars dhe Ditën e Verës ta kthejmë në një ditë solidariteti,” tha Veliaj.

Ambasadori Shkurov falenderoi veçanërisht kryetarin e Bashkisë së Tiranës, i cili bëri të mundur shumëfishimin e ndihmave në drejtim të popullit të tij.

“Ne kemi pasur si pikë grumbullimi Ambasadën e Ukrainës, por me ndihmën e Bashkisë së Tiranës, patëm më tepër punë. Na u mundësua edhe një magazinë. Kam një falënderim shumë të veçantë për Kryetarin, por edhe një mesazh personal për shumë njerëz që janë prezent këtu, për popullin shqiptar, sepse pa praninë e tyre, pa ndihmën e tyre, nuk do kisha mundësinë të flisja sot, kështu siç po flas përpara jush. Mund të them se është një lloj fushate binjakëzimi midis Bashkisë së Kievit dhe Bashkisë së Tiranës,” u shpreh ai.

Ambasadori Shkurov vlerësoi gjithashtu edhe gjestin tradicional të mikpritjes shqiptare, që po dëshmon tashmë edhe me Ukrainën e goditur nga lufta vlerat e saj. “Ne kemi shumë oferta që na kanë ardhur kohët e fundit. Janë mbi 1000 oferta për refugjatët që do të vijnë nga Ukraina. Për këtë doja të falënderoja popullin shqiptar,” vlerësoi Shkurov. /ATA/

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Gjithashtu mund te shikoni
Close
Back to top button