Lajme

Opozita, mbështet shqiptarin Dritan Abazoviq si Kryeministër i Malit të Zi

Në përgjigje të ultimatumit të partive proserbe për një qeveri të re të koalicionit aktual deri më 10 dhjetor, Dritan Abazoviq ka publikuar në faqen e tij një foto ceremoniale me flamurin e Malit të Zi.

Një akt që thuajse nga të gjithë komentuesit është konsideruar si një pranim i idesë që shqiptari i “E Bardha në të Zezë” të emërohet Kryeministër i vendit.

Thuajse të gjithë e kanë uruar numrin dy të qeverisë i cili para pak ditësh u takua në Podgoricë me zyrtarin e lartë të Departamentit të Shtetit, Gabriel Escobar.

Ndërkaq, dy parti opozitare, përkatësisht dy parti shqiptare: “Forca” e Genci Nimanbegut dhe “Lista Shqiptare” e Nik Gjeloshajt, kanë propozuar një qeveri “pakice” me Dritan Abazoviqin kryeministër.

Madje Nimanbegu ka deklaruar se opozita do të votojë rrëzimin e qeverisë aktuale në seancën më të afërt kur të kalojë buxheti për vitin 2022.

Numrat për këtë operacion janë shumë lehtë të arritshëm, pasi e gjithë opozita ka 40 deputetë, e nëse i bashkohen 4 deputetët e Abazoviçit bëhen 44.

Kurse mazhoranca aktuale, nëse i ikën “E Bardha në të Zezë”, ka vetëm 37 deputetë.

Por shumica qeverisëse ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve për një qeveri të opozitës me Dritan Abazoviqin.

Kryeministri, Zdravko Krivokapiç, kryeparlamentari Aleksa Beçiç kanë deklaruar se ky eksperiment do të ishte shkatërrues. Ndërkaq, kreu i Frontit Demokratik, Milan Knezeviç ka kërkuar zgjedhje të menjëhershme të parakohshme parlamentare, duke mos pranuar një qeveri pakice.

Nimanbegu deklaroi në ‘Gradska TV’ se, “Forca do të votojë për rrëzimin e qeverisë aktuale dhe do të mbështesë çdo zgjidhje që do ta kthejë Malin e Zi në rrugën e duhur”.

Ai ka kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme përpara vitit 2024, duke ju përgjigjur partive proserbe, të cilat kërkuan që pakicat t’i bashkohen qeverisë aktuale. Sipas Nimanbegut, kjo thirrje nuk është e sinqertë.

Ne kemi dërguar një shkresë në qeveri, nga ku nuk kemi marrë përgjigje. Kur tashmë ishte formuar qeveria, ministri Leposaviç deklaroi se kërkesat tona ishin jokushtetuese”, theksoi ai.

Kreu i partisë shqiptare, ndërkaq, ka vlerësuar Milo Gjukanoviçin si një figurë historike.

“Nëse ai, si president i shtetit dhe i qeverisë, është i lidhur me veprimtari kriiminale, i takon organeve të drejtësisë ta përcaktojnë. Por politika e tij ndaj pakicave është një arritje e rëndësishme”,  tha Nimanbegu.

Kurse kreu i Parlamentit, njëkohësisht kreu i Partisë Demokratike, Aleksa Beçiç, tha se DP nuk do të mbështesë qeverinë e pakicës, që sipas tij do të thotë përmbysje e vullnetit elektoral të qytetarëve.

Beçiç tha gjithashtu se planifikon të thërrasë seancën e Kuvendit nga data 10 deri më 15 dhjetor, kur në rend dite do të jetë buxheti për vitin e ardhshëm dhe disa akte të tjera ligjore.

E këtu pritet që të rrëzohet qeveria aktuale, ku si zgjidhje njëra palë kërkon zgjedhje të reja e tjetra qeveri të pakicës.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button