Lajme

Osmani në Munih thotë se rajoni ka tendenca destabilizimi nga aleati i Rusisë, Serbia

Në kuadër të Konferencës për Siguri në Munih, presidentja e Vjosa Osmani sot ka diskutuar si paneliste lidhur me sfidat dhe angazhimin për demokraci në Evropë. Përveç Osmanit, në këtë panel kanë diskutuar edhe kryeministrja e Estonisë Kaja Kallas dhe liderja e opozitës në Bjellorusi, Sviatlana Tsikhanouskaya.

Presidentja Osmani foli për rëndësinë e demokracisë nga perspektiva e vendit, i cili tha se ka sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë dhe pavarësinë.

Në diskutimin e saj, sipas njoftimit për media nga Presidenca, “Osmani shfaqi shqetësimin për zhvillimet në rajon, ndikimin rus në Ballkanin Perëndimor dhe tendencat destabilizuese që vijnë nga aleati i Rusisë, Serbia”.

Më tej, presidentja ka theksuar se “demokracia është një shtyllë kyçe në përpjekjet shtetndërtuese të Republikës së Kosovës, sikurse edhe shtyllë qendrore e zhvillimit të shoqërisë në vendin tonë”.

Tutje, kreu i shtetit ka folur edhe për sfidat me të cilat përballen shoqëritë demokratike, si dhe mënyrat se si mund të tejkalohen ato.

Presidentja tha se “suksesi i përbashkët arrihet nëpërmjet garantimit të të drejtave të njeriut, kundërshtimit të pushteteve autoritare nëpër botë dhe bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet popujve demokratikë”.

Ajo përmendi edhe Samitin për Demokraci dhe zotimet e Kosovës në këtë Samit, të cilat tha se do ta avancojnë edhe më tej demokracinë në vend.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button