HistoriLajme

Portreti i rrallë i Pjetër Budit në Vatikan

Biblioteka Apostolike e Vatikanit është një ndër bibliotekat më të pasura në botë përsa i përket historisë së trojeve shqiptare brenda dhe jashtë kufijve të sotëm politiko-administrativë. Në të gjenden të gjitha veprat monumentale që ndihmojnë për të shkruar një histori të plotë të trojeve shqiptare, dhe pothuajse të gjitha librat e shkruar për krishtërimin e këtyre trojeve.
Nuk e teprojmë aspak po të themi që nuk ka vend tjetër në botë, ku të gjitha veprat monumentale të shtypshkruara që nga shekulli i XV-të e deri më sot, të gjenden të gjitha në një vend dhe në rafte të hapura për përdorim të lirshëm për studiuesin.
Njëra ndër veprat e shumta albanologjike, është edhe “Paschyera et refyemit” e Pjetër Budit e cila ruhet në signaturën: Racc. Gen. Liturgia. V. 35, int. 3. [Dh. Shuteriqi, K. Ashta, B. Gjoka]. Në këtë vepër, e cila është e lidhur së bashku me dy vepra të tjera të Budit, “Rituale Romanum…” dhe “Cuscthote Mesce…” në faqen 1v ka një portret të Pjetër Budit, të datuar më 24 korrik 1621. Portreti [gravura], është një punim fin, me elementë të shumtë, të cilat paraqesin simbolikë domethënëse dhe të shumëfishtë. Dimensionet e portretit janë: 8.5 x 13.7cm. Në këtë portret, Budi paraqitet në moshën 55 vjeçare, i ulur në gjunjë duke u lutur, para një scrivanie, në të cilën ndodhen të gjitha mjetet e shkrimit, por edhe engjëjt, që sjellin frymëzim dhe gjykim për krijimtarinë dhe veprën e tij.

Portreti i Budit është i vetmi imazh që është i njohur dhe na është ruajtur deri sot. Është shumë konkret, duke na ofruar pamjen e tij fizike, fytyrën, veshjen, por edhe begatinë e elementeve kulturore, të pasuruar me elemente fetare dhe laike, gjë që e lartëson edhe më shumë këtë emër të nderuar të kulturës shqiptare.
Tani e tutje nuk ka pse të vrasim mendjen për të imagjinuar Budin, sepse ai në këtë portret na paraqitet krejt i kapshëm, i afërt dhe real, me petkun e një ipeshkvi, njeriut të Zotit, por edhe të krijuesit, poetit e prozatorit, njeriu i cili sfidoi kohën dhe njerëzit, duke kultivuar gjuhën shqipe, duke ruajtur kulturën dhe traditën e lashtë të shkrimit shqip në veçanti dhe të kulturës shqiptare në përgjithësi, po në të njëjtën kohë duke treguar se nuk ishte autodidakt, siç shkruhet e njihet deri sot, por ishte me përgatitje të lartë profesionale, pasi kishte mbaruar studimet e larta në Romë.
Hulumtimet arkivore të bëra vitet e fundit, në Arkivin Skeret të Vatikanit /sot Archivio Apostolico Vaticano/ Bibiliotekën Apostolike dhe Arkivin e Propagandës Fide në Vatikan, kanë plotësuar shumë mozaikun e figurës komplekse dhe shumëdimensionale të Pjetër Budit.
Pjetër Budi lindi në Gur të Bardhë të zonës jugore të Matit në vitin 1566. Studimet e para i mbaroi në Collegium Illyricum, të Zonjës Sonë, në Ankonë. Në moshën njëzetëjëvjeçare shugurohet për prift, [më 1587] dhe i vëhet kryeipeshkvisë së Tivarit në shërbim, për teritoret e Kosovës dhe Maqedonisë [Dardanisë së Lashtë]. Për dymbëdhjetë vjet shërbeu në këto teritore, ndërsa në vitin 1599 emrohet Vikar i përgjithsëm i Serbisë, kurse në vitin 1610 përmendet si kapelan në Shkup, ndërsa në vitin 1615 si kapelan në Prokuple, ku këto territore ishin të banaura me shqiptarë të besimit të krishterë. Në vitet 1616-1618 qëndroi në Romë, ku studioi teologji dhe filozofi dhe në të njëjtën kohë përgaditi për botim veprën e tij “Dottrina Christiana.” Në fund të vitit 1618 dhe gjatë tërë vitit 1619, ishte për pelegrinazh tetëmbëdhjetëmujor në Santiago de Kompostela, në Spanjë. Nga fundi i vitit 1619 e deri më 20 korrik 1621 qëndron në Romë, kur emrohet ipeshkëv i Sapës dhe Sardës, përkatësisht i tërë krahinës së Zadrimës. Disa ditë para Krishtëlindjeve, duke kaluar lumin Drin, mbytet në ujërat e ftohta, duke lënë vend për hamendësime se ishte një komplot i pregaditur ndaj tij nga kundërshtarët e shumtë.

Nga Prof. Dr. Musa AHMETI

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Gjithashtu mund te shikoni
Close
Back to top button