Lajme

Protesta dhe kundërshtime për formimin e qeverisë së pakicës në Mal të Zi

Java e ardhshme pritet të sjellë risi përsa i përket formimit të qeverisë. Negociatat dhe kërcënimet për protesta vazhdojnë.

Në Mal të Zi nga njëra anë vazhdojnë negociatat për formimin e qeverisë së pakicës, nga ana tjetër protestat janë bërë të përditshme. Të tjerë, deri dje partnerë të koalicionit, paralajmrojnë bllokime rrugësh nëse arrihet një marrëveshje me Partinë Demokratike të Socialitëve për qeverinë.

Lideri i lëvizjes URA, Dritan Abazoviq, emër i diskutuar për postin e kryeministrit, thotë se nuk ekziston një listë me anëtarët e qeverisë së ardhëshme të Malit të Zi. Por ai do të dëshironte që Mali i Zi të ketë një qeveri e cila do të ulte polarizimet në shoqërinë malazeze dhe të avanconte në rrugën drejt BE, pavarësisht sa do të zgjaste mandati i saj.

Abazoviq: jo e lehtë të jesh kryeministër në këto rrethana

Abazoviqi e pranon se në rrethana të tilla nuk është e lehtë të jesh kryeministër. “Ne”, thotë Abazoviq “duhet të rikthejmë imazhin qytetar, i cili i ka munguar qeverisë së mëparshme. Duhet të kthejmë imazhin e një qeverie evropiane, sekulare, dhe të respektojmë të gjitha bashkësitë fetare”.

Faktori ndërkombëtar pret që qeveria e 43-të në Mal të Zi të formohet sa më parë. Ish-partnerët e koalicionit këmbëngulin që marrëveshja të arrihet në radhët e tyre e në qeveri të kyçen dhe pakicat e jo dhe Partia Demokratike e Socialistëve e Gjukanoviçit.

Demokratët protestojnë, Fronti Demokratik kërkon marrëveshje

Demokratët, një parti pjesë e shumicës së mëparshme qeveritare ka ditë që protestojnë. Në protestat e tyre ata kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Me slloganin”Mbrojtja e vullnetit elektoral të qytetarëve” ata shprehën pakënaqësi për formimin mundshëm të një qeverie të pakicës. Sipas tyre URA e Abazoviqit “ka tradhëtuar rezultatin zgjedhor dhe vullnetin e popullit” dhe ka krijuar hapësirë për rikthimin e Partisë Demokratike të Socialistëve në pushtet.

Ndërkohë Fronti Demokratik pro-serb kërkon që partitë e shumicës të mëhershme parlamentare të arrijnë një marrëveshtje për formimin e një ekzekutivi të ri. Krerët e Frontit Demokratik, Andrija Mandiq dhe Milan Knezeviç, kanë njoftuar se mbështetësit e tyre do të bllokojnë rrugët e Malit të Zi nëse nuk arrihet marrëveshja e shumicës së mëparshme parlamentare për qeverinë e ardhëshme. Sipas tyre “sot, kur partia Demokratike e Socialistëve është në opozitë, ne nuk kemi të drejtë t’u japim dorën dhe t’i kthejmë në pozitat më të rëndësishme vendimmarrëse”.

Gjukanoviç pritet të propozojë mandatarin për kryeministër

Nuk dihet se çfarë qëndrimi do të mbajë Partia Socialiste Popullore me pesë deputetë dhe a do te jetë pjesë e qeverisë, kur dihet se kjo parti është nënshkruese e memorandumit të bashkëpunimit ndërmjet subjekteve politike opozitare, respektivisht partive të pakicave. Partitë pro serbe akuzojnë këtë subjekt, ndërkohë që kryetari i saj Vlladimit Jokoviq thotë se vendimin përfundimtar për pjesëmarrje në bisedime për formimin e qeverisë së pakicës kjo parti do ta sjellë në fund të javës së ardhëshme, kur pritet të mbahet këshilli qendror i partisë.

Sido që të jetë java e ardhshme pritet të sjellë risi sa i përket formimit të qeverisë. Pritet që presidenti Milo Gjukanoviç të propozojë mandatarin për përbërjen e qeverisë se re, respektivisht Liderin e URA-s, Dritan Abazoviq, i cili do ta njoftojë se e ka shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë së Malit të Zi.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button