Lajme

Qeveria ka katër kushte për zgjedhjet e Serbisë në Kosovë, propozimi iu dorëzua Lajçakut

Më 3 prill serbët pritet t’u drejtohen kutive të votimit, ku do të vendosin për përfaqësuesit e tyre në parlament dhe për presidentin e ri të tyre. Demokracia.com ka mësuar se Zëvendëskryeministri për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, ia ka dorëzuar një propozim konkret të dërguarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, lidhur me lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë edhe në Kosovë.

Tash e një kohë të gjatë është duke u diskutuar nëse do të lejohet apo jo mbajtja e zgjedhjeve të Serbisë edhe në Kosovë, duke marrë parasysh komunitetin serb që jeton në vendin tonë. Referendumi nuk u lejua të mbahej dhe krerët e institucioneve vazhdimisht kanë deklaruar se më nuk do të lejojnë të mbahen zgjedhjet e Serbisë në Kosovë.

Megjithatë, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi tashmë ia ka bërë një propozim konkret të deleguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili përbëhet prej katër pikave kryesore dhe si modalitet do të ishte i pranueshëm edhe për Qeverinë Kurti, që ta lejonte mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Ky është propozimi që Demokracia.com ka mësuar nga diplomatët evropianë se i është dorëzuar të dërguarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nga zëvendëskryeministri Besnik Bislimi:

Serbisë do t’i lejohet të mbajë zgjedhje në Republikën e Kosovës nëse përdor emrin “Zyra Ndërlidhëse e Serbisë në Kosovë” në të gjitha dokumentet dhe vendvotimet. Qeveria e Republikës së Kosovës pajtohet që t’u japë imunitet dhe privilegje diplomatike qendrave të votimit dhe individëve të përfshirë në organizimin e zgjedhjeve;

Misioni i OSBE-së në Republikën e Kosovës organizon mbajtjen e zgjedhjeve dhe mbledhjen e votave në vendvotime;

Partitë politike dhe politikanët serbë nuk do të lejohen të zhvillojnë fushatë zgjedhore në territorin e Republikës së Kosovës;

Reciprociteti zbatohet për shtetasit e Kosovës që jetojnë në Serbi të bazuar në të njëjtën praktikë.

Lajçak pas vizitës që kishte në Kosovë së bashku me emisarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka udhëtuar menjëherë për në Serbi.

Pas takimit me liderët serbë, Lajçak kishte deklaruar se Bashkimi Evropian është pro mbajtjes së zgjedhjeve serbe në Kosovë.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Gjithashtu mund te shikoni
Close
Back to top button