Lajme

Rücker: Ukraina tregon se duhet një marrëveshje Kosovë – Serbi sa më shpejt

Diplomati gjerman, Joachim Rücker , i cili ka shërbyer në Kosovë si Përfaqësues Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara dhe si shef i UNMIK-ut, nga viti 2006 deri pak muaj pas pavarësisë, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express ka folur për rrugëtimin e Kosovës si shtet nga viti 2008 dhe për gjithë ngjarjet aktuale, nga Ukraina e deri te vazhdimi i bisedimeve me Serbinë. Rücker thotë se mungesa e një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë është pengesë për stabilitetin e rajonit dhe shton se bazuar në atë që po ndodh në Ukrainë një e tillë duhet arritur sa më shpejt të jetë e mundur.

Ish-ambasadori gjerman në Suedi i cili edhe ka shkruar një libër për Kosovën, korrigjimin e kufijve nuk e sheh si zgjidhje, derisa thotë se Asociacioni në pajtim me Kushtetutën e Kosovës duhet të jetë pjesë e marrëveshjes finale bashkë me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe BE thotë se në një mënyrë e kompleton atë që ka filluar më 17 shkurt 2008.

Gazeta Express: Situata në Ukrainë, a mendoni se mund të ketë efekte edhe në Ballkanin Perëndimor, në veçanti në Bosnje dhe Kosovë?

Joachim Rücker : Prej një numri aspektesh, po. Unë do ta kufizoja veten time me tre shembuj për këtë. Së pari, disa shpresojnë që Serbia ndoshta do të përafrohet më mirë me pozicionet e BE-së tani pasi e ka marrë vesh se me çfarë lloj “partneri apo miku” kanë. Së dyti, është një mundësi për rritjen e kampanjave të dezinformimit përmes rrugëve tradicionale dhe mediave digjitale, gjithashtu dhe rreziku për sulme kibernetike është rritur. Dhe e treta, për ta ndihmuar Ukrainën, BE-ja ndoshta duhet ta konsiderojë përshpejtimin e procesit të anëtarësimit pa ndryshuar kriteret e Kopenhagës apo të Traktatit të Lisbonës. Kjo do të mund të ishte interesante edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor gjithashtu.

Joachim Rücker : Rajoni i Ballkanit Perëndimor ka nevojë për zhvillim të qëndrueshëm dhe stabil, edhe më shumë kur shihen rrethana të tilla të turbullta sikur këto aktualet. Mungesa e një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë është një pengesë për stabilitetin dhe prosperitetin, kështu që po: Është e nevojshme sa më shpejt të jetë e mundur.

Gazeta Express: Për hir të arritjes së një marrëveshje finale, a mendoni se korrigjimi i kufijve mund të jetë një nga zgjidhjet?

Joachim Rücker: Jo, unë nuk mendoj se rivizatimi i kufijve në konceptin e bazave etnik është zgjidhje. Ne jemi në shekullin 21.

Gazeta Express: Apo mbase duhet që Kosova të gjejë modalitete për themelimin e Asociacionit pa e shkelur Kushtetutën?

Joachim Rücker : Themelimi i Asociacionit është një element i nevojshëm i marrëveshjes finale. Unë do ta inkurajoja Kosovën të vendoste diçka në tavolinën e dialogut që do të integronte parametrat nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Gazeta Express: Nga këndvështrimi juaj, si do të duhej të dukej një marrëveshje finale dhe a mendoni se modeli i negocimit që po bëhet në Bruksel mund të çojë drejt një marrëveshje finale?

Joachim Rücker: Marrëveshja finale duhet të përmbajë të gjitha elementet që janë negociuar e për të cilat është rënë dakord në dialog, përfshirë edhe Asociacionin. Dhe ajo duhet të përmbajë edhe njohjen e Kosovës nga Serbia, sepse këto elementet mund të bëhen bashkë në kuptimin e asaj që “Për asgjë s’ka pajtim, derisa s’ka pajtim për gjithçka”. Unë mendoj se procesi i Brukselit mund të çojë në një gjë të tillë [Marrëveshje finale].

Gazeta Express: Gjermania gjithashtu sëfundi ka emëruar një Emisar Special për Ballkanin Perëndimor. Si e shihni rolin e Gjermanisë në dialog pas largimit të kancelares Merkel?

Joachim Rücker : Më 3 mars emisari i ri, Manual Sarrazin pati një intervistë të shkëlqyer, në Frankfurter Allgemeine Zeitung. Në këtë intervistë, ai konfirmon përkushtimin e qeverisë së Gjermanisë për vendet e Ballkanit Perëndimor, perspektivën evropiane dhe anëtarësimin. Jam i bindur se Qeveria gjermane do të vazhdojë gjithashtu mbështetjen e fortë për dialogun i cili me shumë shpresë do të rezultojë në një marrëveshje gjithpërfshirëse për normalizim.

Gazeta Express: Ju jeni edhe autor i librit “Standatet dhe statusi: Si u bë Kosova e pavarur: A keni njdekur gjithë këtë rrugëtim të Kosovës pas pavarësisë dhe cili është komenti juaj për të gjitha arritjet?

Joachim Rücker : Po, i kam ndjekur zhvillimet në Kosovë me shumë interes dhe vazhdoj ta vizitojë vendin që e kam shumë afër zemrës. Në kohën time, mendoj se ne kemi qenë në gjendje të hedhim themelet për një demokraci funksionale dhe një ekonomi tregu moderne të përafruar me BE-në. Tani e gjithë kjo është shumë më e konsoliduar dhe në përgjithësi Kosova është në rrugën e duhur. Chapeau [akti i heqjes se kapelës në shenjë respekti], siç thonë francezët.

Gazeta Express: A mendoni se një një far forme pavarësia e Kosovës do të kompletohej kur Kosova të anëtarësohet në BE dhe NATO, dhe a e shihni anëtarësimin në këto dy institucione si diçka urgjente?

Joachim Rücker: Po, mendoj se anëtarësimi në BE dhe NATO në një far mënyrë është kompletim i asaj që ka nisur më 17 shkurt 2008. Megjithëse për anëtarësim ka kushte, procesi do të marrë kohën e tij, por do të thoja: sa më shpejtë, aq më mirë./GazetaExpress

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Gjithashtu mund te shikoni
Close
Back to top button