LajmeSport

Serbët në panik: Kosova po na e merr Djokovicin e ri

Filip Pavic është në dilemë të madhe. Talenti i madh i tenisit nuk ka vendosur ende nëse do ta përfaqësojë Kosovën apo Serbinë. Babai i tenisit të ri serb ndihet borxhli ndaj vendit ku u lind i biri, Kosovës, e cila iu gjend afër në ditët më të vështira. Ai ndërkohë ka mbetur i zhgënjyer me serbët, të cilët i injoruan thirrjet e tij për ndihmë qe gjashtë vjet. Serbët frikësohen se Kosova mund t’ua marrë Novak Djokovicin e ri

Filip Pavic është një tenist i ri serb, i cili është lindur në Kosovë.

Talenti i madh i sportit të bardhë është në mes dy zjarresh pasi gjendet në udhëkryq të madh.

15 vjeçari nga Novo Bërda është në mes të zgjedhjes për ta përfaqësuar Kosovën ose Serbinë.

Talenti serb kishte ushtruar për tri vjet pa trajner dhe pa fushë adekuate, duke e qëlluar murin me top.

E më pas, në zhvillimin e tij si tenist ka kontribuuar një shqiptar nga Gjilani, i cili e ka ndihmuar atë me gjithçka që kishte nevojë, duke ia hequr madje të gjitha shpenzimet dhe duke e dërguar edhe në Zvicër.

Për këtë, familja e tij ndihet borxhli dhe e ndien për obligim që i biri i tyre ta përfaqësojë Kosovën pasi ishte pikërisht një shqiptar ai i cili i ndihmoi në kohërat më të vështira.

E serbëve u është futur frika në palcë se mos talenti serb po pranon ta përfaqësojë Kosovën e jo vendin e tyre.

“E ashtuquajtura Kosovë do të na marrë Djokovicin e ri?”, ka qenë titulli i mediumit serb “Kurir”, i cili ka biseduar me protagonistët.

Filip i ka fituar më shumë se 30 turne dhe është njëri prej më të mirëve në Kosovë për moshën U-16.

Ai luan kryesisht në garat që i organizon Federata e Tenisit të Kosovës.

Për këtë, kjo e fundit e konsideron atë si “të vetin”, ndërsa një uebfaqe zvcierane së fundmi shkroi: “Kush e di, Kosova mund ta ketë Novak Djokovicin e saj”.

Tenisti i tij i preferuar është Novak Djokovic, të cilin ka pasur mundësi ta shikojë vetëm përmes televizorit, për shkak të pamundësive financiare për ta parë “live”.

Goran Pavic, babai i Filipit, më parë kishte thënë se ai dhe i biri do ta konsiderojnë seriozisht pranimin e ftesës së Federatës së Tenisit të Kosovës.

Mirëpo, ai nuk e ka fshehur edhe dëshirën e kamotshme që i biri i tij ta përfaqësojë Serbinë.

Presidenti i Federatës së Tenisit të Kosovës, Jeton Hadergjonaj ka konfirmuar se ftesa për lojtarin mund të arrijë, dhe në ndërkohë, familja Pavic i ka thënë mediumit serb “Kurir” se ata i kanë humbur të gjitha shpresat që mund të arrijë ndonjë ndihmë nga Serbia.

Për këtë rast ka folur drejtori sportiv i Federatës Serbe të Tenisit, Aleksandar Bolic.

“Unë kam njohuri për krejt situatën pasi kam lexuar në media. Familja Pavic kurrë nuk i është adresuar Federatës Serbe të Tenisit. Ka pasur tenistë tjerë që janë përgjigjur, por këta kurrë. Tenisi është paksa i komplikuar. E kemi shembullin e tenistëve kroatë, Ivan e Matej Sabanov, të cilët kanë luajtur për Kroacinë dhe tash për Serbinë. Problemi është se Federata e Tenisit të Kosovës është e pranuar në Federatën Evropiane dhe Ndërkombëtare të Tenisit”, theksoi Bolic.

Ai e përmendi edhe suksesin e Lazar Milicevic, një tjetër talent i tenisit nga Kosova, i cili ishte pjesë e ekipit kombëtar dhe kampion i Serbisë.

Bolic insiston se dyert e ekipit kombëtar të Serbisë për Filipin nuk kanë qenë kurrë të mbyllura.

Por, insiston se ai ka nevojë të luajë në disa turne në Serbi.

“Më duhet ta sqaroj se absolutisht dyert e bashkëpunimit nuk janë të mbyllra. Ne organizojmë shkolla të tenisit pa pagesë në Kosovë nga dy apo tri herë në vit, ku mundohemi të ndihmojmë sa më shumë që mundemi. Posaqërisht nëse lojtarët kanë kualitet, të cilët i mirëpresim. Le të na kontaktojë familja Pavic, kështu që do të ishim të lumtur të shohim se çka mund të bëjmë”, vazhdoi Bolic.

E për këtë situatë aspak të lakmueshme dhe konfuze, për mediumin serb ka folur edhe babai i tenistit, Goran Pavic.

Ai është i zhgënjyer me Federatën Serbe të Tenisit dhe thuajse i dorëzuar.

“Për gjashtë vjet, kam kërkuar dhe kam kërkuar ndihmë në adresa të ndryshme. Bile nuk mund t’i rendis adresat se ku kam thirrur, nuk kisha turp për djalin tim. Njerëzit nga Federata Serbe e Tenisit i dinë të gjitha. Ata na kanë ftuar që t’i kontaktojmë? Po si mund t’i besoj më dikujt? Ka pasur premtime nga shumë njerëz, por gjithçka vjen për të mos e lejuar Filipin që ta përfaqësojë Kosovën. Kur nuk e lë atë të shkojë për të luajtur për Kosovën, të gjitha projektet dështojnë. Filip ka punuar pa trajner për tri vjet dhe në atë kohë nuk kishte as vend adekuat për të ushtruar. Ka ndodhur kur ai e ka marrë reketin dhe me top e ka qëlluar murin”, tregon babai i talentit serb të tenisit.

Mbetet të shihet nëse tenisti serb Filip Pavic do të vendosë përfundimisht për ta përfaqësuar Kosovën, e cila iu gjet në ditët më të vështira, apo do ta zgjedhë Serbinë.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Gjithashtu mund te shikoni
Close
Back to top button