Lajme

ShBA-ja thotë se gazsjellësi rus me Gjermaninë s’do të hapet, nëse pushtohet Ukraina

Departamenti i Shtetit i ShBA-së ka thënë se gazsjellësi “Nord Stream 2”, i cili e lidh Gjermaninë me Rusinë, nuk do të miratohet, nëse Rusia e pushton Ukrainën.

Përderisa tensionet rreth grumbullimit të trupave ruse afër Ukrainës janë të larta, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, tha të mërkurën në mbrëmje se administrata e Bidenit është duke punuar me Gjermaninë për t’u siguruar që shteti evropian të mund ta përballojë humbjen e këtij gazsjellësi.

“Dua të jem shumë i qartë: nëse Rusia e pushton Ukrainën në një mënyrë ose në një tjetër, “Nord Stream 2” nuk do të lëvizë përpara. Nuk do të futem në hollësi. Ne do të punojmë me Gjermaninë për t’u siguruar që ai nuk do të lëvizë përpara”, tha Price.

Ambasadorja e Gjermanisë në Shtetet e Bashkuara, Emily Haber, u duk se e përkrahi ashpërsimin e pozicionit. Ajo tha në Twitter: “ShBA-ja dhe Gjermania së bashku deklaruan verën e kaluar: nëse Rusia e përdor energjinë si armë ose nëse ka shkelje tjetër të sovranitetit të Ukrainës, Rusia do të duhet të paguajë një çmim të lartë”.

Ajo shtoi se edhe Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe ministrja e Punëve të Jashtme, Annalena Baerbock, gjithashtu e kanë bërë këtë të qartë. “Asgjë nuk do të jetë jashtë tavolinë, përfshirë gazsjellësin “Nord Stream 2”, tha ambasadorja gjermane në ShBA.

Komentet erdhën një ditë pas aktiviteteve intensive diplomatike. ShBA-ja tha se ka hartuar një rrugë për t’i adresuar kërkesat e Rusisë në Evropën Lindore. Sidoqoftë, Shtetet e Bashkuara e refuzuan kërkesën e Rusisë që Ukrainës t’i mbyllet dera për anëtarësim në NATO.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Gjithashtu mund te shikoni
Close
Back to top button