Lajme

SHBA mirëpret aspiratën e Kosovës për NATO, sygjeron fokusim në planin 10 vjeçar të FSK-së

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes Ambasadës në Prishtinë kanë mirëpritur aspiratën e Kosovës për anëtarësim në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut – NATO, por kanë këshilluar që vendi të fokusohet në planin 10 vjeçar të transicionit të Forcës së Sigurisë.

Prej disa ditësh, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj nisi një fushatë në formë kërkese në rrjete sociale duke thënë se “është koha që Kosova të anëtarësohet në NATO”.

Kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në NATO e përmenden edhe krerët e institucioneve të vendit, presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti.

Në një përgjigje për KALLXO.com, zyra për media e Ambasadës së ShBA-së në Kosovë ka thënë se procedurat për anëtarësim në NATO janë komplekse duke sugjeruar institucioneve të vendit që të ndjekin planin afatgjatë të tranzicionit 10-vjeçar të FSK-së.

“Shtetet e Bashkuara mirëpresin aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO, kërkesat për anëtarësim janë komplekse dhe kërkojnë një qasje afatgjatë dhe të përllogaritur. Kosova mund ta demonstrojë më së miri gatishmërinë e saj për përgjegjësitë e anëtarësimit në NATO duke vazhduar zbatimin aktiv të planit 10-vjeçar të tranzicionit dhe duke mos devijuar prej tij”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës së ShBA-së në Prishtinë.

“Si partner i palëkundur i Kosovës, Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të ndihmuar Kosovën të zë vendin e merituar përkrah fqinjëve të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike”, thuhet tutje në përgjigje.

Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet ligjore, për të ndryshuar mandatin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

FSK ka hyrë në vitin e katërt të tranzicionit drejtë shndërrimit në forcë me kapacitete ushtarake.

Ambasada Amerikane ka thënë se FSK po bën një përparim domethënës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Ne vazhdojmë të mbështesim Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) pasi ajo bën përparim domethënës dhe kuptimplotë në planin e saj 10-vjeçar të tranzicionit, i cili u zhvillua me mbështetjen e SHBA-së, për të ndërtuar një forcë mbrojtëse territoriale shumë-etnike të ndërveprueshme me NATO, nën kontrollin civil”, tha tutje për KALLXO.com, zëdhënësi i ambasadës amerikanë në Kosovë.

Në fund, Ambasada Amerikane ka thënë se rruga që duhet të ndjekë Kosova për integrim në Europë dhe në institucionet euroatlantike është dialogu Kosovë-Serbi.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të besojnë se angazhimi urgjent, aktiv dhe fleksibël i Kosovës në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, e përqendruar në njohjen reciproke është mjeti më i mirë për të çuar përpara objektivin prioritar të Kosovës për integrimin e plotë në Europë dhe institucionet euroatlantike”, thuhet tutje në përgjigje.

Sot janë bërë shtatë ditë prej kur Rusia nisi agresionin ushtarak duke sulmuar Ukrainën nga tre fronte, toka, ajri dhe uji.

Qindra viktima e afër një milion refugjatë ukrainas u larguan nga vendlindja e tyre pas sulmit ushtarak nga Rusia.

Derisa luftimet në Ukrainë po vazhdojnë, zërat e diplomatëve thonë se Rusia mund të mos ndalet vetëm në Ukrainë, duke paralajmëruar se pushtimi rus mund të përfshijë edhe vendet fqinje të saj dhe Ballkanin Perëndimor.

Madje, njohës të çështjeve ushtarake dhe të sigurisë parashikuan se siguria e Kosovës mund të cenohet.

Pikë kritike sipas tyre është pjesa veriore e vendit tonë.

Ndërkohë NATO ka thënë se nuk ka ndryshuar qëndrim në raport me Kosovën.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Gjithashtu mund te shikoni
Close
Back to top button