Lajme

Shqiptarët në dy anët e kufirit tregojnë për sfidat e marrjes së shtetësive, të Kosovës e Shqipërisë

“U çlirova, m’u hapën disa dyer që deri dje ishin mbyllur”.

Kështu e ka përjetuar Edlira Qefalia nga Tirana marrjen e nënshtetësisë kosovare.

Ajo jeton prej 16 vitesh në Prishtinë, por pasaportën e Kosovës e ka marrë vetëm para 3 vitesh. Fillimisht i është dashur kohë për njohjen e dokumenteve të martesës, procedura që i kishte kryer në Suedi.

“Ne jemi të martuar në Suedi, pra pati procedurat e veta burokratike edhe ajo pjesë”, tregoi Edlira Qefalia.

Më pas nisi përpjekjet për t’u pajisur me leje qëndrimi.

“Leja e qëndrimit kërkonte ose të ishte e martuar ose me kontratë pune. Unë isha e martuar dhe e zgjidha, por persona shumë afër meje që ishin të martuar me njerëz të Shqipërisë, u thoshin nuk e merr dot kontratën e punës pa leje qëndrimi dhe nuk e merr dot lejen e qëndrimit pa kontratë pune”, tregoi ajo.

Ndërsa vitet kalonin në pritje të dokumenteve, vështirësitë me të cilat përballej prej mungesës së tyre ishin të shumta.

“Nuk punoja dot aty ku doja, në administratë apo në një institucion”, tha ajo më tej.

Pasi arriti të merrte pasaportën kosovare, për Edlirën u hap një tjetër problem.

Si shumë shqiptarë të tjerë që jetojnë në Kosovë, ajo pret që këto procedura të lehtësohen sa më shpejt.

“Ligji i pronësisë se Kosovës deri vonë nuk e ka lejuar pronësinë tek shtetasit e huaj, kjo ishte shumë e dhimbshme për mua”, tha Qefalia.

E Hekuran Dylazeka është nga Gjakova dhe prej vitit 2008 jeton në Tiranë.

“Po bëj rreth 13 vite në Tiranë, kam ardhur si student. Ka kaluar goxha kohë”, u shpreh ai.

Por lidhja e tij me Tiranën është më e hershme.

“Tirana për mua kishte një lidhje emocionale sepse edhe gjatë luftës klasën e tretë e bëra këtu dhe ishte gjithmonë në ëndrrat e mia që një ditë do kthehem”, tregon ai.

Dhe duke iu falënderuar kësaj lidhjeje shpirtërore, përshtatja thotë ai se nuk ishte e vështirë.

“Përshtatja nuk ka qenë e vështirë. Normalisht ndihesh i huaj kudo që të shkosh. Më pëlqente më shumë klima se vija nga vend më i ftohtë”, tha ai.

Por, pjesa më e vështirë ka qenë pajisja me dokumente. Madje ende nuk ka marrë pasaportën shqiptare.

Prej 4 vitesh ai ka edhe biznesin e tij në Tiranë. Për shkak të mungesës së dokumenteve, është përballur me një sërë problemesh.

“Nuk mund të hapja një llogari në banke, nuk merrja dot një ambient me qira”, tha Dylazeka.

Kanë kaluar vite që kur ka bërë aplikimin për t’u pajisur me pasaportë, por Hekurani ende nuk e di kur do ta ketë dokumentin në dorë. /euronewsalbania

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button