Lajme

Shtohet presioni amerikan ndaj Serbisë për njohjen e Kosovës

Nga ana e SHBA-ve, është rritur presioni ndaj Serbisë për marrëveshje finale me Kosovën që do të përfshinte njohjen reciproke.

Presidenti amerikan Joseph Biden, tri ditë më parë i ka kërkuar Vuçiqit njohjen e Kosovës, si finale të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, shkruan Reporteri.net.

Biden ka thënë se aspiratat e Serbisë drejt BE-së varen edhe nga progresi drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, e cila bazohet në njohjen reciproke.

“Aspiratat e Serbisë drejt BE-së varen edhe nga progresi drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i cili, siç e dini, besoj se duhet të bazohet në njohjen reciproke. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme t’ju mbështesin në punën me mirëbesim për të arritur këtë qëllim. Familja evropiane nuk do të jetë e plotë pa Serbinë dhe të gjithë fqinjët e saj”, theksohej në letrën e Biden.

Pas presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, letër në adresë të Aleksander Vuçiqit ka dërguar edhe Sekretari Amerikan, Anthony Blinken.

Sekretari amerikan ia ka përsëritur Vuçiqit kërkesën e Joe Biden për arritjen e një marrëveshje finale me Republikën e Kosovës e cila bazohet në njohje reciproke.

Blinken thotë se një gjë e tillë do të rriste sigurinë dhe stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

“Ne jemi të përkushtuar të mbështesim synimin e Serbisë për integrimin evropian dhe inkurajojmë normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve me Kosovën të përqendruara në njohjen reciproke, e cila do të nxisë siguri dhe stabilitet më të madh në rajon”, ka shkruar në letrën e tij Anthony Blinken.

Një finale sa më të shpejtë mes Kosovës e Serbisë, ka kërkuar edhe Presidenti i Francës, Emanuel Macron.

Macron ka thënë se pret që në muajt në vijim dialogu Kosovë-Serbi të marrë një epilog.

Presidenti francez ka thënë se pret që ky dialog të përfundojë me njohje reciproke mes dyja vendeve.

“Gjithashtu, do të vazhdoj ta mbështes dialogun me Prishtinën të ndihmuar nga ndërmjetësimi evropian, me qëllim që të përmbyllet marrëveshja e gjithanshme dhe përfundimtare e normalizimit të marrëdhënieve. Shpreh dëshirën që sukseset, në këtë drejtim, të ndodhin në muajt në vijim”, shkruhet në letrën e Macronit.

Gjatë vizitës në Kosovë e Serbi dy emisarët specialë, Gabriel Eskobar dhe Mirosllav Lajçak, i kanë inkurajuar palët që të vazhdojnë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button