Lajme

Thaçi më 2015: Marrëveshja e asociacionit do të na sjellë vizat, INTERPOL-in, UNESCO-n e NATO-n

Në ditën që u nënshkrua Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në Bruksel, Hashim Thaçi si zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme në atë kohë kishte pasur fjalë të mëdha për arritjen e kësaj marrëveshje.

Ai shkruante se marrëveshje e nënshkruar për Asociacion të Komunave, do të thotë sjelltë progres në marrëveshjet e tjera që Kosova kishte me Serbinë në Bruksel.

“Marrëveshja e nënshkruar sot shënon progres në telekom, integrimin energjetik, asociacion, barrikadën në lumen Ibër. Është ky një investim në të ardhmen europiane të fëmijëve tanë”, shkruante Thaçi në atë kohë.

Përveç marrëveshjes për telekom, ku Kosova ka marrë kodin e saj telefonik +383, në të tjerat marrëveshje progresi nuk është arritur mjaftueshëm.

Poashtu, presidenti Thaçi, në atë kohë në rolin e zëvendësit të Isa Mustafës premtonte se pas arritjes së kësaj marrëveshje, Kosova do të anëtarësohej dhe do të ecte përpara nëpër organizatat ndërkombëtare.

“Benefitet ekonomike dhe politike janë të qarta ndërsa tani presim edhe hapa të përshpejtuar në nënshkrim të MSA, integrim në NATO, liberalizim vizash, anëtarësi në UNESCO, INTERPOL dhe Këshill të Europës. Kjo përkthehet në stabilitet dhe investime ekonomike. Republika është forcuar”, kishte shkruar Thaçi më 25 gusht 2015, ditën kur ishe nënshkruar marrëveshja për asociacion.

Përveç nënshkrimit të MSA-së (Marrëveshja për Stabilizim Asociim), asnjë prej premtimeve të tjera që kishte dhënë Thaçi në atë kohë nuk është arritur.Kosova nuk është anëtarësuar në NATO, e as nuk ka marrë liberalizimin e vizave.

Poashtu Kosova ka dështuar të anëtarësohet në organizatat që janë përmendur në 2015 nga Thaçi. Kosova nuk është anëtarë as në UNESCO, as në INTERPOL e as në Këshill të Evropës.

Në tetor të vitit 2015, marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe u dërgua për interpretim në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës. Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata kishte konstatuar që Asociacioni i komunave me shumice serbe do të themelohet, siç ishte paraparë me Marrëveshjen e parë të Brukselit në vitin 2013. Ndërsa, Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit e vitit 2015 nuk është tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës.

Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që implementon parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Gjithashtu mund te shikoni
Close
Back to top button