Lajme

U shkatërruan nga tërmeti i 2019, “Bijtë e Shqipes” ndërton dy shtëpi në Ishëm

Në Ishëm të Durrësit shoqata “Bijtë e Shqipes” ndërtoi dy shtëpi të reja për familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019
“Mbahu, Nëno, mos kij frikë”.
Kur më 26 nëntor të këtij viti po e ngrenim flamurin tonë kombëtar në sheshin e bashkisë së Filadelfias, gati të gjithë po reflektonim për 26 nëntorin e vitit 2019. Atë ditë pak çaste para se ta ngrenim flamurin në të njejtin vend, Shqipëria ishte goditur nga një termet i fuqishëm që kishte shkaktuar viktima njerëzish dhe dëme të mëdha materiale. Nuk kishim rrugë tjetër, por të vazhdonim me ceremoninë e ngritjes së flamurit, këtë radhë në gjysëm shtizë, për t’i nderuar bashkëkombësit tanë që kishin humbur jetën në këtë fatkeqësi natyrore. Në çaste të gëzueshme dhe në çaste të vështira shqiptarët mblidhen rreth flamurit të përbashkuar, asht siç na thërret edhe Himni ynë Kombëtar. Aty u zotuam se duhet të bëjmë dicka për motrat dhe vëllezërit tanë në atdheun tonë të dashur dhe po aty filloi një fushatë, një stuhi e fuqishme që mobilizoi shoqatën dhe komunitetin tonë për mbledhjen e fondeve financiare. Vargjet e Nolit: “Mbahu, Nëno, mos kij frikë/Se ke djemtë n’Amerikë” janë bërë moto, një zë mobilizimi për të gjithë mërgimtarët shqiptaro – amerikanë e më gjërë për të ndihmuar Shqipërinë kur ajo është në nevojë, rrezik. Kështu ndodhi edhe këtë radhë.
Përurimi i dy shtëpive të reja
Dhe ja, nuk kaloi më shumë se një vit e gjysëm dhe fal ndihmës së bashkëkombësve të tyre në Philadelphia, dy familje shqiptare në Ishëm të Durrësit, të dëmtura rëndë nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019, u bënë me shtëpi të reja. Po e fillojmë këtë pjesë të këtij shkrimi me përurimin e këtyre dy shtëpive e pak më vonë do të përshkruajmë në imtësi edhe tërë ecurinë sesi erdhi deri te ky çast i gëzueshëm, jo vetëm për këto dy familje, por edhe për shoqatën e komunitetin tone, por edhe për fshatin Ishëm dhe Qarkun e Durrësit. Ceremonia e dorëzimit të dy shtëpive familjarëve të dëmtuar nga tërmeti u zhvillua në fshatin Ishëm më 6 korrik, 2021. Këtë ceremoninë e hapi z. Bujar Gjoka, kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”: “Së pari, në emër të shoqatës “Bijtë e Shqipes” në Philadelphia dhe në emrin tim personal dëshiroj, t’ju falenderoj të gjithëve për pjesëmarrjen tuaj në këtë ceremoni modeste që ne po zhvillojmë sot për përfundimin e punimeve të ndërtimit të dy shtëpive të dëmtuara plotësisht nga tërmeti i datës 26 nëntor, 2019. Këto shtëpi janë ndërtuar nga shoqata “Bijtë e Shqipes”, me fondet financiare të mbledhura për këtë qëllim nga komunitetit shqiptar në Philadelphia e më gjërë”.
Në ceremoninë e përurimit të këtyre dy shtëpive të bukura po merrnin pjesë:
– Prefekti i qarkut Durrës, z. Roland Nasto; kryetari i Njësisë Bashkiake Ishëm, z. Kadri Gjyli; përfaqësues të Agencisë Kombëtare për Emigracionin, qytetarë të zonës dhe shumë miq e dashamirës të shoqatës sonë.
– Anëtarët e shoqatës sonë me banim në Tiranë, të nderuarit e grupit “Flaka”, z. Bajram Berisha, z. Mezan Resuli, etj.
– N/kryetari, z. Dritan Matraku, anëtarët e kryesisë, Tajar Domi e Idajet Ago, anëtarët e shoqatës: z. Enver Parllaku, znj.Mefa Ago, znj. Elhame Domi, znj. Majlinda Gjoka, zj Sara Matraku.

Zoti Gjoka i njoftoi të pranishmit për punën që ben shoqata “Bijtë e shqipes” – misionin e saj dhe veprimtaritë e shumta atdhetare, kulturore, arsimore e shoqërore që ajo organizon për ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe tyraditave të kombit tonë. Pastaj ai i njoftoi të pranishmit për fushatën e mbledhjes së fondeve financiare, përshkroi kalvarin sesi erdhi deri përfundimi final dhe vazhdoi: “Ne jemi sot ketu për të inaguruar ndërtimin e këtyre dy shtëpive me nga 106 metra katrore banimi (me tri dhoma gjumi, dhomë ndenje, kuzhine, koridor, banjo e ballkon). Shumë punë e shumë sakrifica por rezultati tregon vetë. Ftohti, kushtet e këqia të jetesës, mungesa e hapësirës për gatim e fjetje, mungesa e hapësirave për mësim të fëmijëve, etj., nga sot e tutje do të marrin fund për këto dy familje. Këto familje do të sistemohen përgjithmonë në shtëpitë e tyre të reja”. Në fund z. Gjoka falenderoi të gjithë ata që e ben të mundur përfundimin me sukses të këtij projekti bëmirës e humanitar: 300 familjet dhuruese të komunitetit shqiptar në Philadelphia e më gjërë; Administratën e Njësisë Bashkiake Ishëm dhe z. Kadri Gjyli; kompaninë ndërtimore “Angelo Group” me pronar, Enver Ibrahimi; anëtarin e grupit “Flaka”, z. Mezan Resuli për ndihmën e dhënë familjeve Fili e Tema; Këshillin Drejtues të shoqatës dhe RTSh-në për pasqyrimin e kësaj ceremonie.
Në këtë ceremoni fjalën e mori edhe prefekti i Qarkut të Durrësit, z. Roland Nasto, i cili pasi përshëndeti të pranishmit, shprehu falenderimin dhe mirënjohjen e tij për shoqatën “Bijtë e shqipes” për ndërtimin e këtyr dy shtëpive të reja. Përveç ndihmës së madhe të shtetit shqiptar ai nuk e la pa e cekur edhe solidaritetin e gjithë shqiptarëve nga e tërë bota. “Kjo nuk paraqet vetëm vlerë monetare, por një miqësi e dashuri për njëri – tjetrin që nuk shkëputet kurrë. Faleminderit për vlerat dhe traditat e bukura shqiptare që trashëgoni brez pas brezi”, e përfundoi fjalën e tij z. Nasto.
Çelësat e shtëpive iu dorëzuan të dy kryefamiljarëve dhe të gjithë të pranishmit po shikonin mjediset e brëndshme dhe të jashtme të këtyre dy shtëpive. Familjarëve, sidomos fëmijëve u shkëlqenin fytyrat nga gëzimi dhe shprehnin falenderimet e tyre të sinqerta e të pafundme për këto dhurata jetike. Shprehnin mirënjohjen dhe falendrimet e tyre për bujarine, kujdesin e fisnikërinë e bashkëkombësve të tyre, të cilët edhe pse ndodhen larg, atdheun gjithmonë e mbajnë atë pranë vetes së tyre. Kishin hequr nga qafa e tyre një barrë të rëndë, një ankth, një pasiguri në jetën e tyre. Nuk ka gjë më të rëndë se të kesh familje e të mos kesh kulm mbi kokë. Të gjithë ndiheshin krenarë për punën e kryer se, i kishin bërë të lumtura dy familje u kishin siguruar një jetesë normale. Sipas traditës, për të gjithë të pranishmit u organizua një koktel me pije e ushqime, për të filluar për së mbari një jetë të re.

Koha për të festuar
Pasi sezoni i pushimeve verore kishte mbaruar dhe pasi e filluam vitin e ri shkollor në fillim të shtatorit, tani radhën e kishte veprimtaria, një takim për të bërë transparencën (tejdukshmërinë) financiare dhe procesin e shpenzimit të tyre, por edhe për të festuar përfundimin me sukses të këtij projekti fisnik e humanitar. Veprimtaria u zhvillua më 3 tetor në mjediset e jashtme të godinës së re. Ishtë një buzëmbrëmje e ngrohtë e vjeshtës së hershme, prandaj edhe pjesëmarrja ishte në një numër të lakmueshëm. Këtë takim e hapi z. Bujar Gjoka, kryetar i shoqatës, i cili i përshëndeti dhe i falenderoi të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre, duke e bërë të njoihur edhe qëllimin e këtij takimi: “është bërë traditë në shoqatën tonë që pas çdo aksioni të madh fondmbledhës të organizohet një takim për të bërë tranparencën financiare dhe procesin e shpenzimeve të kryera.
Në vijim të kësaj tradite edhe sot aktiviteti yne ka për qëllim:
– Të paraqesi para jush një informacion të përmbledhur për fondeve financiare të mbledhur për tërmetin dhe shpenzimet e kryera;
– Të paraqesim një informacion të shkurtër mbi procesin e përzgjedhjes së familjeve që përfituan dy shtëpitë e dëmtuara.
– Një informacion mbi procesin e ndërtimit të shtëpive.
– Informacion të shkurtër me foto e pamje filmike nga inagurimi i shtëpive,
– Të ndajmë me ju falenderimet e panumërta të familjarëve, komunitetit të zonës, autoriteteve vendore dhe miqve të shumtë të shoqatës sonë.
– Të festojmë së bashku për këtë arritje që bëmë si komunitet në Philadelphia”
Fushatë e suksesshme fondmbledhëse
Zoti Gjoka i njoftoi të pranishmit se për këtë fushatë ishin mbledhur $83.000, dhuruar nga 293 persona e biznese. Kërkesa e vazhdueshme e shumicës së dhuruesve ishte që fondet e mbledhura nga shoqata jonë të investoheshin direkt tek familjet e dëmtuara nga tërmeti. Pra, ato të mos jepen në buxhetin e shtetit ose të mos tjetërsohen për qëllime të tjera. Shoqata e mbajti premtimin dhe kështu u veprua me fondet e mbledhura. Pandemia e COVID – 19 dhe largësia nga Shqipëria e bën të vështirë komunikimn në ndërtimin e shtëpive, por shoqata filloi menjëherë procesin e evidentimit të familjeve të dëmtuara, duke e siguriuar një listë nga bashkia e Durrësit me të gjitha familjet e dëmtuara. Ne u përcaktuam për zonën e Ishmit, që ishte goditur më së rëndi dhe që ishte një zonë me probleme të vështira ekonomike. Pastaj u përcaktuam për dy familje që ishin në gjendje të rëndë ekonomike dha pa kulm mbi koke: familjen e z. Ilir Beqir Fili dhe atë të z. Dritan Daut Tema – që të dyja familje pesanëtarëshe. Pas një kalvari të gjatë vështirësish e një procesi burokratik, në fund të muajit janar, 2021, u mor leja e ndërtimit për familjen e parë dhe në muajin prill, 2021, përfunduan procedurat ligjore për fillimin e punimeve në shtëpinë e familjes së dytë. Në bazë të projekteve-preventivave të hartuara më parë, çmimeve të ndërtimit në atë zonë, e përcaktuam fondin limit për secilën familje $34,500 për shtëpi. Parashikuam shpenzime shtesë për shumën $500 për vështirësitë e transportit në shtëpitë e dyta. U kontaktua një arkitekt e dashamirës i shoqatës sonë, z. Dhimitër Stefa nga qyteti i Tiranës i cili shprehu dëshirën që projektet do t’i bënte falas dhe do të na ndihmonte me procesin e lejeve të ndërtimit. Familjarët i udhëzuam që vetë ta gjenin kompaninë e ndërtimit dhe të bënin një projekt kontratë. Pas miratimit nga ana jonë të projekt kontratës fondet jepeshin më keste pas përfundimit të çdo faze të punimeve. Për të verifikuar ecurinë e punimeve në muajin mars, 2021, ne dërguam në vendin ku po ndërtoheshin dy shtëpitë, anëtarin e kryesisë, z. Haki Çollaku dhe anëtarët e shoqatës, njëkohësisht anëtarë të grupit “Flaka” në Tiranë, z. Bajram Avdia e Mezan Resuli. Grupi na siguroi se punimet në shtëpinë e parë po ecnin me hapa të shpejtë, punime cilësore si dhe familjet e përzgjedhura ishin në gjendje të mjerueshme ekonomike. Në sheshin e ndërimit ishte vënë një tabelë ku shkruhej se këto shtëpi po ndërtoheshin me fondet e dhuruara nga shoqata “Bijtë e Shqipes”. Dhe ja erdhi edhe dita e përurimit të këtyre dy shtëpive me një ceremoninë që e përshkruam në fillim të këtij shkrimi. Gjatë fjalës së z. Gjoka në ekran herë pas here shfaqeshin pamje nga të gjitha fazat e ndërtimit të shtëpive si dhe pamje e video nga ceremonia e përurimit të tyre. Në stenda ishin varur listat me emrat e të gjithë dhuruesëve. Prefektura e Qarkut Durrës e vlerësoi shoqatën tonë me certifikatë mirënjohje me motivacionin: “Mirënjohje dhe falenderim për kontributin në ndërtimin e dy shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 26 nentorit, 2019, në fshatin Gjuricaj, Njesia Administrative, Ishëm”.
“Dua të theksoj që të gjithë u ndjem krenar që ne si komunitet patëm mundesi të ndërtojmë dy shtëpi të mrekullueshme për dy familje që ishin në gjendje ekonomike të mjerueshme. Bëmë të lumtur dy familjet e fëmijët e tyre. Transmetuam vlerat e komunitetit tonë në Philadelphia, u dhamë shpresë dhe shumë motiv për të ecur përpara 6 fëmijëve të moshës së adoleshencës që kishin këto familje. Atë ditë u prekëm nga falenderimet e sinqertat e të pafundme që shprehnin familjarët, nga gëzimi që shprehej nëpërmjet syve të fëmijëve, nga falenderimet që shprehen autoritetet lokale e qendrore”, e përfundoi paraqitjen e tij z. Gjoka, duke i falenderuar edhe një herë të gjithë ata persona e biznese që e bën të mundur këtë projekt humanitar e madhështor.
Shoqata “Bijtë e Shqipes”, forca motorike e komunitetit shqiptar në Philadelphia
Të gjithë të pranishmit u ndien mirë dhe të lumtur për të dyja familjet që tani kishin gjetë paqen dhe qetësinë e tyre në shtëpitë e reja. U ndiem krenarë për punën me përkushtim e këmbëngulje të shoqatës “Bijtë e Shqipes” për të ndërmarrë një projekt të tillë, bujar e human, për përpjekjet dhe sakrificat për ta përfunduar me sukses ndërtimin e këtyre dy shtëpive. Kjo fushatë dhe fushatat tjera për t’u ardhur në ndihmë bashkatdhetarëve tanë po dëshmojnë qartë se shqiptarët në Philadelphia kanë një shoqatë mjaft aktive e të respektuar dhe kanë një komunitet që dita ditës po bëhet më i organizuar, më i ndërgjegjshëm për fuqinë që mund ta kemi kur veprojmë së bashku. është shoqata “Bijtë e Shqipes” nxitësja dhe promotorja e të gjitha veprimtarive që shqiptarët organizojnë në Philadelphia. Për punën e saj atdhetare e kulturore, për korrektësinë e saj për të grumbulluar e menaxhuar fonde financiare me një ndershmëri të tejskajshme, ajo çdo ditë e më tepër është duke e gëzuar mbështetjen dhe respektin e komunitetit. Arka e shoqatës sonë drejtohet e menaxhohet nga njerëz të ndershëm e profesionistë. Çdo qindarkë evidentohet, për çdo qindarkë jepet fatura, çdo qindarkë dihet se për çka shpenzohet, për çdo qindarkë jepet llogari e përgjegjshmëri.
Ndoshta u zgjatëm pak në këtë shkrim, por është mirë që anëtarët e shoqatës dhe lexuesit e këtij shkrimi duhet ta kenë para syshë që për të bërë diçka të vlerë duhet bërë shumë sakrifica, punë këmbëngulëse e me përkushtim. është Viti i parë i Ri që familjet në Ishëm të Durrësit do ta presin në shtëpitë e tyre të reja. T’u dëshirojmë një vit e jetë të mbare e le t’i trashëgojnë shtëpitë e tyre të ndërtuar me fondet financiare të dhuruara me shumë dashuri nga bashkëkombësit e tyre. Ne nuk e kemi njohur njëri – tjetrin, jetojmë larg njëri – tjetrit, por zëri i atdheut na afron, na bashkon…
Titulli origjinal: Kur zëri i atdheut na thërret… Nga Dr. Sadik Elshani
Philadelphia, 19 dhjetor, 2021
*Sadik Elshani është anëtar i Këshillit Drejtues dhe ish kryetar i shoqatës “Bijtë e shqipes”.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Gjithashtu mund te shikoni
Close
Back to top button