LajmeTë tjera

Unë jam Bianka, kamionistja e parë shqiptare!

Unë jam kamionistja, ajo vajza me ëndrra të mëdha. Një ditë, mes atyre kur mendoja se nuk po bëj atë që dua, një dorë, një zë më tërhoqi dhe më përballë më vuri kamionin, tanimë dashurinë time më të madhe.

Teksa e shihja, mendoja atë, punën dhe gjithçka që mund të arrija. Nuk i besoja vetes, ndërsa vendosa të marr lejen e drejtimit, mes figurave burrërore e mjekrave të tyre, që nuk më trembnin aspak.

Po unë do të bëhesha kamioniste. Mësova shumë, si të kujdesesha për kamionin, të mos qëndroja brenda tij me këpucë, ta trajtoja me respektin që meritonte. Po, unë nisa të ndjeja lumturinë që nuk e kisha ndjerë më parë, në timonin që më jepte adrenalinën e jetës. Asnjë paragjykim, as gjykim, as fjalë e thënë nëpër dhëmbë nuk më bën të lë pas ëndrrën time më të madhe.

Sapo vë këmbën në kamion, jam unë, ndihem e çliruar dhe mendoj vetëm një gjë “rrugën time të radhës”.

Punoj deri në 9 orë, mes autostradës, në mes dëshirës dhe adrenalinës. Dita ime nis herët, puna po ashtu. Në fillim shikimet ishin kurioze, ndoshta edhe skeptike se nuk do të mundesha, por unë munda, unë mundem dhe sot mund të bëj atë që shumë dyshonin, dhe shumë më shumë nuk e besonin.

Unë jam Bianka kamionistja, ajo vajza me flokët e arta, moskokëçarëse, që nuk trembet para asgjëje dhe që në timonin e kamionit tim gjigant ndihem pafund e lumtur. Jam kamionistja e parë, jam vajza e ëndrrave të mëdha, e paragjykimeve që nuk më prekin aspak.

Po, unë jam kamionistja që e shoh botën mes dritave të kamionit tim, në mes të një rruge që më dhuron lumturi. Kjo është ajo që dua, kjo është ajo bëj. Ndiq dhe ti ëndrrën tënde!/M.M-dritare.net

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button