Lajme

Vjosa Osmani: S’lejojmë Asociacion siç e kërkon Serbia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur rreth krijimit të mundshëm të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Osmani duke folur për këtë temë ka thënë se institucionet e vendit s’do të lejojnë krijimin e një Asociacioni të komunave me shumicë serbe, që do të rrezikonte funksionalizimin e shtetit.

Ajo në një intervistë për RTK-në tha se vazhdon ta ketë qëndrimin e njëjtë sikur më 2013, kur kishte votuar kundër marrëveshjes së Brukselit.

“Asociacioni ashtu siç është paraparë në marrëveshjen e Brukselit ka qenë ndër dokumentet më të dëmshme sa i përket sovranitetit dhe funksionalitetit të brendshëm të Kosovës. Por, ishte mirë që Gjykata Kushtetuese e ndalojë si të tillë, por dëmi akoma vazhdon sepse në disa raste ka ende njerëz në BE që kërkojnë që ajo të aplikohet ashtu siç është nënshkruar në Bruksel. Sidoqoftë jemi me fat që pas takimeve të shumta, SHBA-të e kanë thënë qartë se nuk do ta përkrahin asnjë Republika Srbska, asnjë pushtet të ndërmjetmë dhe as kompetenca ekzekutive. Kjo është ndër zhvillimet më të rëndësishme sa i përket asociacionit. Nuk mund të ketë asnjë model që na shpie drejt bosnjëzimit të Kosovës, asnjë model që i jep kompetenca ekzekutive dhe e krijon asociacionin si një pushtet të tretë dhe asnjë model që e defunksionalizon Kosovën sepse tek e fundit neve nuk na duhet ulësja në OKB nëse jemi shtet totalisht i dështuar përbrenda, shtet i cili nuk funksionon dhe shtet në të cilin gjithmonë një rajon do të dëshiron të shkëputet”, tha Osmani.

Po ashtu, Osmani tha se as Pako e Ahtisarit askund nuk ka thënë që komunat me shumicë serbe mund të bëhen bashkë për të krijuar një pushtet të tretë, i cili krijon jofunksionalitet, i cili merr sovranitet nga niveli nacional e i cili nesër pasnesër mund të shndërrohet në Republika Srbska.

Në anën tjetër, Osmani ka pranuar se ka një intensifikim për dialogun Kosovë-Serbi, referuar vizitave të fundit të emisarëve evropian e amerikan.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button