Lajme

Vuçiq e ka kuptuar, tasht se ka punë me politikanë strategjikë dhe kombëtarisht të vendosur

Shqiptarët e Luginës e duan bashkimin me Kosovën. Por ai mund të mos ndodhë. Prandaj, u duhet të mendojnë alternativa zëvendësuese për të zgjidhur problemet e tyre. Shqiprim Arifi, në një intervistë për Insajderi.com thotë se shqiptarët atje duhet të jenë strategjikë – ta kenë në mendje një Plan A, por të përgatisin të tjerë nëse ai nuk arrihet.

Shqiptarët në zgjedhjet e fundit në Serbi kanë fituar tre deputetë, prandaj po kërkojnë katër pozita në Qeverinë e re serbe. Nëse veç arrihet pajtim dhe formacioni i ri qeveritar serb do të ketë një ngjyrim shqiptar, atëherë kjo do të ishte hera e parë prejse shqiptarët organizohen politikisht në Serbi.

Por, ky vullnet i shqiptarëve të Luginës për përfshirje në strukturën e re qeverisëse serbe, nuk duhet të shihet si heqje dorë e politikës shqiptare atje nga bashkimi i atyre territoreve me Republikën e Kosovës.

Kështu ka thënë kryetari i Preshevës, Shqipërim Arifi, në një intervistë ekskluzive.

Madje, sipas tij, kush e gjykon kështu është veç një “shkurtpamës” që s’i kupton strategjitë politike të kohës dhe s’ka informacionin e fundit se si operohet politikisht.

Sipas Arifit, kjo s’është idealja për shqiptarët e Luginës – por, sigurim se s’mbetën pa asgjë, nëse idealja – bashkimi me Kosovën – nuk arrihet.

“Ata të cilët thonë se Lugina tani me përfshirjen e shqiptarëve në qeverinë e Serbisë e harron pakthyeshëm bashkimin me Kosovën, janë njerëz që shohin shumë shkurt dhe nuk janë updated (të informuar me lajmet dhe ndodhitë e fundit) me kontestin dhe rrethanat sidomos pesë vjetët e fundit, janë njerëz që në vazhdimësi, nëpërmjet patriotizmit fallco mashtrojnë opinion e gjerë”, ka deklaruar Arifi në këtë intervistë.

“Dialogu në Bruksel është duke ecur dhe në qoftë se arrihet marrëveshje që ne të përfshihemi ne Republikën e Kosovës është puna më e vogël që ne mos të jemi pjesë e qeverisë në Serbi. E dyta është; ne duhet të punojmë konkretisht edhe në Worst-case scenario (variantin më të keq të mundshëm). Ai skenar mund të jetë që ne të mbesim nën territorin e Serbisë, varësisht rezultatit në negociatat që po zhvillohen në Amerikë dhe në Bruksel”.

Prandaj Arifi thotë kjo kërkesë për pjesëmarrje në qeverinë serbe duhet të shihet vetëm si rrugë e dytë.

“Ne duhet të përgatitemi edhe me Planin B, e Plani B është pikërisht ky që po e implementojmë, por edhe njëherë e them në fund që asgjë nuk flet kundër Planit A, për faktin që e kemi Planin B”.

“Plani A i joni është përfshirja e Luginës së Preshevës në tërësi pa u ndarë, në Republikën e Kosovës. Por, ta kemi edhe planin B se populli po e sheh – përkundër se këta shkurt pamës bëjnë politikë edhe mashtrime me popullin – që si po zhvillohen negociatat, çfarë vështirësish po ka në dialog dhe po e shohin edhe që po ka vështirës në implementim të marrëveshjeve që veç janë arritur deri më tani dhe prandaj ne duhet ta kemi Planin B”

Por, shton Arifi, “Plani B bie poshtë, nëse Plani A – përfshirja e Luginës në Kosovë – mund të realizohet”.

Në funksion të realizimit të këtij Plani B, delegacioni shqiptar i Luginës së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, janë takuar edhe me presidentin e Serbisë dhe liderin e partisë fituese atje, Aleksandër Vuçiq.

Arifi thotë për Insajderi-n se nëse asgjë tjetër, Vuçiq e ka kuptuar se tash ka punë me tjetër lloj politikanësh shqiptarë.

“Unë e besoj që ai e ka kuptuar që gjenerata e vjetër e spektrit politik shqiptar në Luginë të Preshevës i përket historisë dhe të kaluarës, besoj që e ka kuptuar që ka punë tash me një spektër politik i cili është strategjikisht i ndërtuar dhe kombëtarisht i vendosur. Besoj që e ka kuptuar që kërkesat tona janë legjitime, por besoj që e ka kuptuar edhe ambicien tonë që ne e kemi kundrejt këtyre proceseve dhe zhvillimeve që po bëhen dhe mendoj se në parim e ka pranuar pozitivisht, tash jemi duke pritur përgjigjen e tij”.

E përgjigja e Vuçiq nënkupton plotësim të kërkesave konkrete të shqiptarëve dhe kushteve të tyre.

Këto kushte kanë formën e pozitave në Qeverinë e Serbisë.

“Koalicioni i partive politike shqiptare e ka parë të arsyeshme me kushte të hyjë në qeveri dhe këto katër kërkesa që i kemi bërë – Ministria e Pushtet Lokal, ministria Ekonomisë një ndihmës-nënkryetar, në ministrinë e Arsimit një sekretar shtetëror edhe Trupi Koordinues, ndërlidhen direkt me nevojat tona dhe problematikat tona tash e 20 vjet. Kjo ka qenë arsyeja përse e kemi bërë këtë kërkesë pikërisht me këto kushte”.

I pyetur se a beson që Vuçiq do pajtohet me këto kërkesa të tyre, Arifi ka thënë se s’shtrohet çështja ashtu – “nuk duhet të besojmë a na jepen a nuk na jepen nga qeveria serbe këto pozita”.

“Nuk nisemi ne nga ajo, a na jepen këto pozita, apo nuk na jepen, a presim a nuk presim, po nisemi nga përqendrimi i vizionit tonë, ndaj situatës dhe ndaj këtij konteksti. Këto kërkesa janë të ndërtuar në bazë të një vizioni se çka ne duam në Serbi për të qenë pjesë kontribuuese në këto procese që po zhvillohen dhe do të zhvillohen në të ardhmen”, thotë Arifi.

Prapa kërkesave shqiptare për t’u bërë pjesë konstruktive e politikave qeverisëse serbe, politikani shqiptar i Luginës, thotë se qëndron një strategji e mirëmenduar dhe përmbajtjesore.

“Ne jemi të qartë profesionalisht, politikisht, por edhe më të qartë jemi strategjikisht, që ato marrëveshje që i kemi arritur para 20 vjetëve me qeverinë e Serbisë që kurrë nuk janë implementuar dhe Planin Shtatë Pikësh që e kemi arritur me shqiptarët e Luginës kundrejt qeverisë së Serbisë, e që kurrë nuk është implementuar, në mënyrë konkrete tash, nëpërmjet posteve kryesore që ndërlidhen direkt me problemet tona, mendojmë që bëjmë zgjidhje”.

Se a do të bëhen shqiptarët – për herë të parë – pjesë e qeverisë së Serbisë do të mësohet pas pak ditësh, kur Vuçiq t’i përfundojë takimet konsultuese me të gjitha palët që kanë marrë besim qytetar në zgjedhjet e fundit dhe të dalë me një propozim konkret për qeverinë e re para parlamentit serb.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Gjithashtu mund te shikoni
Close
Back to top button