Lajme

Vuçiqi i vë emër shqiptar Von Cramonit: Fjolla flet marrëzira

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka bërë të ditur qëndrimin e Serbisë për pushtimin që Rusia po ia bën Ukrainës. Ai ka thënë se Serbisë i vjen keq për rastin e se e mbështet plotësisht integritetin territorial të Ukrainës. Megjithatë, Serbia nuk u është bashkuar shteteve perëndimore në vënien e sanksioneve ndaj Rusisë.“Serbia mbështet plotësisht integritetin territorial të Ukrainës”, ka thënë ai.

Në një konferencë për media Vuçiq ka lexuar konkludimet e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Sipas tij, në pikë të parë Serbisë i vjen keq për gjithçka që ndodh në Evropën Lindore. “Ne i shohim rusët dhe ukrainasit si popull vëllazëror”, ka thënë Vuçiq.

“Serbia është e përkushtuar ndaj parimit territorial. Bazuar në nenin 16 të Kushtetutës së Serbisë, një nga parimet themelore është respektimi i integritetit territorial të shteteve të tjera”, ka shtuar Vuçiqi.

Sipas tij, Serbia gjithmonë ka ndjekur politikë të jashtme “të përgjegjshme e parimore”. Për këtë ka thënë se e ka paguar gjithmonë shtrenjtë.

E di se kjo nuk do t’u pëlqejë të gjithëve, do të ketë kundërshtime por kemi bërë më të mirën që kemi mundur. Serbia ka pasur shumë lufta, shumë humbje njerëzish. Kjo flet për atë se ne duhet të jemi krejt bashkë, të ruajmë njerëzit tonë”, ka deklaruar më tej presidenti i Serbisë.

“Serbia respekton të drejtën ndërkombëtare. Serbia i di mirë nevojat e veta, Serbia i respekton miqësitë tradicionale, kujtojmë vitin 2015 dhe 1999. Nuk jemi ngutur e s’kemi bërë vrap në marrjen e vendimeve. Kemi bërë më të mirën e mundshme për vendin tone. E dimë se ky vendim nuk do t’u pëlqejë të gjithëve”, ka thënë ai.

Ka fajësuar, siç i ka quajtur ai, mediat e tajkunëve, të cilat gjatë ditës raportuan se “Serbia nuk e njeh integritetin territorial të Ukrainës”. Me këtë sipas tij, ato i kanë bërë dëm “Serbisë, integritetit të saj territorial, Kosovës e Metohisë, si pjesë përbërëse e Serbisë”.

Megjithatë, sipas Vuçiqit s’është koha që Rusisë t’i vihen sanksione.

Vuçiqi i ka reaguar edhe raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramonit, që tha se ka marrë fund koha kur Serbia mund “të luajë me dy karta”.

“Koha e fundit – sepse ajo thotë se është kohe e fundit që Serbia nuk di çfarë bën – që ajo të bëhet e përgjegjshme, të bëhet pak më serioze apo së paku të mos flasë marrëzira. Kjo është e tëra çfarë kam t’i them asaj gruaje, Fjollës (sic!) Dhe jo rastësisht ajo është bërë ikonë shqiptare në Kosovë e Metohi, dhe për të gjithë ata që bëjnë çdo gjë për t’i sjellë dëm Serbisë”, ka thënë Vuçiqi.

I pyetur direkt se a i dënon sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës meqë i keni parë xhirimet se çfarë po ndodh në Kijev, presidenti Vuçiq është përgjigjur: “Unë mendoj se është mjaftueshëm e qartë…nuk i kam parë xhirimet sepse nuk e di se çfarë janë xhirime reale e çka është e rreme”.

Në konferencë është pyetur edhe të komentojë deklaratën e presidentit kroat “se me çfarë do ta luftojë Kosovën, me pistoleta uji”. Pyetja e gazetares ka qenë nëse “Serbia ka diçka më shumë”.

Vuçiq ka thënë se e për dallim prej tij, ai e respekton shumë siç e respekton Kroacinë.

“Sa u përket pushkëve me ujë, djali im i vogël Vukani është kampion. I ka 19. Ai ëndërron të bëhet ushtar. Por unë mendoj se ai s’e ka hallin te këto, por te fakti se në krejt analizat Serbia nuk është tri herë më e dobët, por një çikë më e fortë. Ne do të vazhdojmë ta forcojmë ushtrinë”, ka thënë Vuçiqi.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Gjithashtu mund te shikoni
Close
Back to top button