Lajme

Vuçiqi -Peachit: Serbia do zgjidhje të pranueshme reciprokisht në dialogun me Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka zhvilluar një takim sot me të dërguarin special të kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, me të cilin bisedoi për situatën në rajon.

Sipas njoftimit për media nga Presidenca serbe, Vuçiqi i ka thënë Peachit se “Serbia vazhdon të përpiqet për një zgjidhje të qëndrueshme dhe të pranueshme reciprokisht në dialogun me Prishtinën” dhe se vendi i tij “mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj dialogut si e vetmja mënyrë për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura”.

“Në këtë kontekst, presidenti shprehu pritjen që Sir Stuart Peach, me përvojën dhe njohuritë e tij për situatën në rajon, të japë kontributin dhe mbështetjen e tij të plotë për vazhdimin konstruktiv të dialogut”, thuhet në njoftimin e Presidencës serbe.

Ndërkaq, Sir Stuart Peach, gjithnjë sipas njoftimit, vuri në dukje se “emërimi i tij është gjithashtu një shenjë e qartë e angazhimit të vazhdueshëm të Britanisë për sigurinë, stabilitetin dhe përparimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor”.

“Kur është fjala për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i dërguari special i kryeministrit të Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor theksoi se do të punojë me partnerë nga BE-ja dhe SHBA-ja për ta mbështetur atë dialog”, thuhet në këtë njoftim.

Ndërkaq, Vuçiqi citohet të ketë thënë se Serbia, “si iniciatore e projekteve të shumta që synojnë lidhjen në rajon, i qaset me seriozitet dhe përgjegjësi të gjitha çështjeve me rëndësi për forcimin e bashkëpunimit të ndërsjellë, përparimin ekonomik dhe ndërtimin e besimit”.

“Bashkëpunimi rajonal është një nga prioritetet e politikës së jashtme të Serbisë, e cila është iniciatore jo vetëm e nismës ‘Ballkani i Hapur’, që mundëson lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve, por edhe të projekteve të mëdha infrastrukturore, që do të rrisin cilësinë e jetës të të gjithë qytetarëve të rajonit”, ka potencuar presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Gjithashtu mund te shikoni

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button